Teknologu i uzinës së naftës në Ballsh, Shefo Duraj është vrarë. Trupi i pajetë i 57 – vjeçari u gjet katër ditë më parë në një pyll të fshatit Kalenjë në Mallakastër.

Raporti i Mjekësi – Ligjore ka konfirmuar dyshimet e para të policisë, që këmi të bëjmë me një vrasje. Ekspertët sqarojnë se në trupin e 57 – vjeçarit janë gjetur plagë që janë kryer me mjete prerës.

Viktima ka plagë të thella në brinjë dhe në kokë. Pasi ka kryer vrasjen, autori ka dashur të humbë çdo gjurmë. Një pjesë e mirë e trupit të Shefo Durajt është i djegur.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në 14 Nëntor, kur viktima ka qënë turni i tretë në punë. Mëngjesin e asaj dite, ai ka komunikuar me familjen duke i thënë se do të shkonte tek disa miq të tij në Skrapar. Ky ishte kontakti i fundit me 57 – vjeçarin dhe në datën 16, të afërmit e tij kanë bërë denoncim në polici.

Trupi i tij u gjet në datën 30 Nëntor nga një bari, i cili njoftoi policinë. Pista kryesore që ka grupi hetimor është ajo e një hakmarrjeje. Një i afërm i viktimës ka qënë i përfshirë në vrasje të ndodhur para viteve ’90 dhe dyshohet se krimi mund të ketë lidhje me këtë histori.

Megjithatë, blutë po ndjekin dhe pista të tjera. Shefo Duraj u zhduk vetëm tre ditë pas shpërthimit në rafinerinë e Ballshit, ku mbeti i vdekur një punëtorë dhe u plagosën 3 të tjerë.

Tv Klan