Greqia ka shprehur pakënaqësi për tekstet shkollore shqiptare në lidhje me kapitullin për rajonet e Shqipërisë.

Zv/ministri i Jashtëm Ioannis Amanatidis ka deklaruar se tekste të tilla kanë koncepte nacionaliste, nga të cilat duhet të hiqet dorë.

“Kemi një çështje shumë serioze. Në fillim të vitit shkollor në librat e klasës së 9-të dhe të 12-të në Shqipëri, kanë përfshirë kapitullin “Rajonet shqiptare të Greqisë”. Në libër janë paraqitur zona e Çamërisë, Veriu i Epirit, Konica, Kosturi, Preveza, Arta, Igumenica. Pra, shikojmë që shqiptarët insistojnë në këtë çështje, ndërkohë që ne si shenjë të vullnetit të mirë kemi hequr nga librat shkollorë të gjitha referencat për popullsi greke në veri të Epirit. Kjo është një sfidë shumë serioze”,

tha ai.

Zv/ministri i Jashtëm i Greqisë konfirmoi se Qeveria greke po e monitoron nga afër këtë çështje dhe informoi delegacionin kombëtar të Greqisë që këtë temë ta diskutojnë në Komitetin e Përbashkët të ngritur mes dy vendeve për të zgjidhur problematikat e përbashkëta.

“Mbledhja e tretë e komitetit u mbajt më 21 Shkurt 2017. Pavarësisht insistimit nga ana jonë, pala shqiptare nuk pranoi të diskutonte për tekstet problematike të Historisë dhe Gjeografisë. Fatkeqësisht, shteti shqiptar tregon se vazhdon të mbetet i bllokuar në perceptime nacionaliste dhe irredentiste, që në radhë të parë janë të dëmshme për vet Shqipërinë. Ne e kemi bërë të qartë se këto përmbajtje të librave janë të papranueshme dhe duhet të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur”

, theksoi zv.ministri i Jashtëm i Greqisë.

Zv/ ministri i Jashtëm, Yanis Amanatidis ishte thirrur në interpelancë në Parlament nga deputetët e Partisë “Grekët e Pavarur” për çështjen e teksteve shkollore. Ai foli gjithashtu edhe për respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri, duke iu referuar çështjes së pronës.

/tvklan.al