Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 12 vatra zjarri në Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Berat, Lezhë dhe Fier.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar mbi 50 zjarrfikës me 14 automjete, 13 forca vullnetare si dhe helikopterë. Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve, që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.

QARKU TIRANË

Në vendin e quajtur “Mali i Derjes”, mbrapa antenave të telefonisë celulare në malin e Dajtit, ra një zjarr masiv në një pyll me pisha. Përveç angazhimit të specialistëve zjarrfikës, u dërgua dhe një helikopter, i cili arriti të shuante zjarrin pas disa orësh.

Në rrugën “Sulejman Delvina”, Tiranë, ra zjarr në banesën e një shtetasi. Pas ndërhyrjes së shërbimit zjarrfikës, flakët janë shuar. U dogjën disa orendi shtëpiake.

QARKU ELBASAN

Në fshatin Hajdaran, bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në banesën e një shtetaseje. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj pjesërisht dhoma e gjumit, por nuk pati njerëz të lënduar.

Në fshatin Kusarth, bashkia Elbasan, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me hamullorë dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha hamullorë dhe u dëmtuan rreth 13 rrënjë ullinj.

Në fshatin Shumrizë, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në magazinën e një shtetasi. Zjarrfikësit kanë arritur të shuajnë zjarrin. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.

QARKU SHKODËR

Në fshatin Koplik i Sipërm, bashkia Malësi e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, hamullore dhe bimë medicinale. Zjarri është shuar vetëm pas ndërhyrjes së zjarrfikësve. U dogj një sipërfaqe rreth 1 ha shkurre, hamullore dhe 1 dynym bimë medicinale sherebel, në pronësi të një shtetasi.

QARKU DURRËS

Në fshatin Zgërdhesh, të bashkisë Krujë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë dhe pas një pune të gjatë, për shkak të terrenit të vështirë, kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 4 ha me shkurre.

QARKU FIER

Në fshatin Frakull e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete dhe personel, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 2 dynym me shkurre dhe 20 rrënjë ullinj.

QARKU BERAT

Në fshatin Moravë, bashkia Berat, ka rënë zjarr në banesën e një shtetasi. Ndërhyrja e zjarfikësve bëri të mundur shuarjen e flakëve. Nga zjarri u dogjën disa pajisje dhe orendi të shtëpisë.

QARKU KORÇË

Në fshatin Podgorie, bashkia Maliq, ka rënë zjarr në 2 banesa të pa banuara. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e flakëve, njëra nga banesat u dogj plotësisht, kurse tjetra pjesërisht.

QARKU LEZHË

Në fshatin Shullaz, bashkia Kurbin, ra zjarr në një ndërtesë të pabanuar në pronësi të një shtetasi. Specialistët zjarrfikës kanë ndërhyrë dhe kanë shuar zjarrin./tvklan.al