Situata në Azi mbetet e tensionuar pas vizitës zyrtare të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. Shefi i diplomacisë amerikane u takua këtë të shtunë me homologun e tij kinez, Wang Yi dhe në qendër të agjendës së tyre ishte Koreja e Veriut dhe programi bërthamor i vendit komunist.

Tillerson nënvizoi sërish nga Pekini se rreziku është i lartë. Të premten Sekretari i Shtetit tha se durimi kundrejt Koresë së Veriut po soset, madje duke lënë të hapur edhe mundësinë  e një sulmi të mundshëm ndaj Penianit. Qëndrim që u mbështet edhe nga Presidenti Trump përmes Twitter-it, i cili shkroi se Koreja e Veriut ka një sjellje mjaft të keqe dhe janë tallur me SHBA-të prej vitesh.

Edhe pse pranoi se ndan vlerësimin e Sekretarit Tillerson për situatën e tensionuar, Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, bëri thirrje për zbutje të retorikës dhe i këshilloi SHBA-së të qëndrojë me “mendje-ftohtë”. “Ne nuk duhet të ndihmojmë rritjen e konfliktit”, tha ai.

Koreja e Veriut është angazhuar maksimalisht në krijimin e arsenalit bërthamor me rreze të gjatë, që arrin deri në SHBA. Javën e Kaluar vendi komunist kreu një tjetër test, duke shpërfillur rezolutën e sigurisë së Kombeve të Bashkuara, që ia ndalon këto teste./TV KLAN