Disa përplasje mes forcave ushtarake të Irakut dhe atyre kurde janë raportuar nga mediat ndërkombëtare, pasi Bagdadi dërgoi trupa ushtarake drejt disa zonave që jetohen nga kurdët në provincën Kirkuk.

Qeveria irakene ka deklaruar se ka nisur një operacion që të sigurojë bazat dhe repartet federale.

Por, zyrtarët kurdë kanë thënë që trupat irakene janë duke u avancuar drejt qytetit Kirkuk për të marrë nën kontroll fushat me naftë dhe një bazë ajrore.

Sipas televizionit shtetëror, forcat qeveritare kanë marrë nën kontrollin e tyre disa zona, duke përfshirë këtu edhe disa fusha me naftë, por pa pasur nevojën e luftimeve, mirëpo forcat kurde e kanë mohuar këtë gjë.

Mësohet se disa shkëmbime zjarri kanë ndodhur në jug të qytetit Kirkuk.

SHBA-ja është shprehur shumë e shqetësuar nga kjo ngjarje dhe ka bërë thirrje për dialog si mënyra më e mirë për të mos kaluar në tensione më të larta.

Kirkuku është një provincë e pasur me naftë dhe që pretendohet si nga kurdët dhe nga qeveria qendrore e Irakut. Mendohet se shumica e popullsisë është kurde, por kryeqyteti i kësaj province ka një popullsi të lartë arabe dhe turkmene.

Tensionet midis qeverisë qendrore të Irakut dhe rajonit autonom të Kurdistanit janë rritur ndjeshëm kohët e fundit, pasi kurdët votuan për pavarësi në një referendum që u mbajt muajin e kaluar.

/tvklan.al