Rusia ka vendosur që të dëbojë nga vendi më shumë se 750 diplomatë amerikanë pas vendimit të Presidentit Vladimir Putin për shkurtimin e stafit diplomatik të ambasadës së SHBA në Moskë. Kjo lëvizje e Presidentit rus vjen pas sanksioneve të reja të vendosura nga Senati amerikan ndaj Rusisë.

Në një intervistë për televizionin rus “Rossiya 1”, Putin tha se largimi i diplomatëve është për shkak të sjelljes së Amerikës.

“Pala amerikane ka bërë lëvizje që nuk është provokuar nga asgjë, për të përkeqësuar marrëdhëniet ruso-amerikane. Ne kemi qenë të duruar për një kohë të gjatë me shpresën se diçka do të ndryshonte për mirë. Por, duket se nuk do të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Unë vendosa që është koha të tregojmë se ne nuk do të qëndrojmë pa u përgjigjur”,

tha presidenti Vladimir Putin.

Sipas urdhrit të ri të Moskës, stafi diplomatik i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të reduktohet në 455 vetë deri më 1 shtator. Për këtë është vënë zyrtarisht në dijeni Uashingtoni.

/tvklan.al