Zotimet e ditëve të fundit të Serbisë dhe Maqedonisë për të qetësuar situatën e tensionuar mes tyre,  do të vihen në provë ditën e shtunë, kur krerët e qeverive të dy vendeve do të takohen në Durrës në një mbledhje informale të kryeministrave të Ballkanit, thirrur nga kreu i qeverise shqiptare, Edi Rama.

Këtë e konfirmoi Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç për mediat serbe duke theksuar se dy vendet kanë një shans për të zgjidhur tensionet. “Kryeministrja serbe Ana Brnabiç do të takohet nga afër me homologun e saj maqedonas në takimin e thërritur nga Kryeministri Rama dhe që i kushtohet integrimit rajonal”- tha Daçiç.

Ai njoftoi edhe një bisede të planifikuar telefonike që do të zhvillojë presidenti Aleksander Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Javën e kaluar, Serbia tërhoqi ambasadorin e saj ne Shkup. Aludimet janë se shkak i prishjes së marrëdhënieve është përgjimi që autoritetet maqedonase i kanë bërë ambasadës serbe në Shkup, madje edhe zyrtarëve të lartë të Beogradit.

Por kryeministri maqedonas Zoran Zaev në një intervistë për gazetën serbe “Blic” përsëriti se Qeveria e Shkupit asnjëherë nuk ka pasur as qëllim e as ka dhënë udhëzime për kryerjen e ndonjë aktiviteti të inteligjencës kundër shteteve fqinje duke përfshirë edhe Serbinë./Tv Klan