Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ka tentuar t’i ofrojë ryshfet punonjësit të policisë rrogore, për të shmangur masën administrative për shkeljen e bërë.

Burime të policisë bëjnë me dije se në pranga ka rënë, Anastas Gallani, 31 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Fier.

Arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë,  ky person, duke udhëtuar me mjetin tip “Volswagen”, me targë AA 033 IB, është konstatuar nga Policia Rrugore Lushnje se po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, 150 km/h.

Në momentin që punonjësi i policisë ka qenë duke përpiluar gjobën, drejtuesi i mjetit, Gallani i ka ofruar 2000 lekë për ta falur për shkeljen e bërë.

Menjëherë pas kësaj 31-vjeçari është shoqëruar në komisariat.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.”/tvklan.al