Policia e Korçës, arrestoi mbrëmjen e të hënës një person, me akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, pasi ka tentuar të vrasë babain e tij, në ambientet e spitalit të qytetit të Korçës.

Petrika Çeço, 28 – vjeç, rreth orës 19:30 të së hënës, në ambientet e Spitalit Rajonal të qytetit të Korçës, për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë fizike, si edhe ka tentuar të mbysë me një rrip (material sintetik) babanë e tij, 61 – vjeçarin me iniciale M. C.

Ky i fundit ndodhej i shtruar në pavionin e Patologjisë, për të marrë ndihmë mjekësore. Pasi ka kryer këtë veprim Petrika Ceco është larguar nga vendngjarja, për t’iu fshehur policisë.

Shërbimet e Policisë menjëherë kanë lokalizuar vendndodhjen e tij, ndërsa ishte fshehur në banesën e gjyshërve të tij në lagjen nr 1. Policia arrestoi në flagrancë të Çeçon, për akuzën e “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë”.

Burri i moshuar tashmë ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Hetimi i rasit i është përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Tv Klan