Vetëm 1 orë përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendoste për fatin e mandatit te tij, deputeti i Lezhës, Armando Penga dorëzoi në Kuvend dorëheqjen.

Në letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, firmosur në 25 shkurt, Prenga kërkonte që të njoftohej KQZ për krijimin e vakancës.

Vendimin për të hequr dorë nga mandati, ai thotë se ka marrë për të siguruar qetësinë personale dhe të familjes edhe pse, sipas tij, ligji i dekriminalizimit nuk parashikon ndërprerjen e mandatit për një dënim me gjobë, siç rezulton me vendim të formës se prerë të Gjykatës së Kurbinit.

Në këto kushte dhe KQZ e njohur me dorëheqjen e Preges nga Kuvendi ka vendosur të mos ketë vendimmarrje për këtë çështje.

KQZ refuzoi të premten të merrte vendim mbi kërkesën e prokurorisë për t’i hequr mandatin Prengës dhe kërkoi informacion shtese. Por prokuroria u përgjigj duke sqaruar se vetëm fshehja e dënimit të Gjykatës se Kurbinit në formularin e vetëdeklarimit ishte i mjaftueshëm për t’i hequr mandatin Prengës.

Armando Prenga është zgjedhur dy herë si deputet në qarkun e Lezhës. Ai është deputeti i dyte i këtij qarku që dorëzon mandatin. I pari që hoqi dorë ishte Arben Ndoka. Mandati i Prengës mund t’i kalojë LSI –së, pasi edhe kandidati i fundit për deputet në listën e Partisë Socialiste, Kastriot Pirolit rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion. / TV KLAN