Qeveria e Italisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit që deri më tani ka shkaktuar 250 viktima .

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri italian Matteo Renzi, i cili tha se është vënë në dispozicion edhe një fond prej 50 milionë euro për zonat e prekura nga tërmeti.

Kryeministri tha se rindërtimi i këtyre fshatrave apo qyteteve është prioritet i qeverisë. Nga tërmeti i fuqishëm janë prekur kryesisht tre zona, Amatrice, L’Aquila dhe Acumoli.

Autoritetet njoftuan se përveç 250 viktimave numërohen edhe 365 të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

Makthi vazhdon për banorët e Italisë qëndrore. Lëkundje të tjera u regjistruan rreth orës 14:40 në Amatrice, ku pati sërisht rrëzime ndërtesash. Që prej lëkundjeve të para që shkaktuan tragjedinë, janë regjistruar rreth 460 tronditje të tjera, sipas autoriteteve të zizmiologjisë. Më e forta ishte ajo e mëngjesit të sotëm, rreth orës 5, me një magnitudë 4.5 e shkallës Rihter./tvklan.al