Një shqiptar rezulton të jetë në mesin e të plagosurve nga tërmeti i fuqishëm që goditi Mesdheun  gjatë natës në orët e para të mengjesit.

Shqiptari u plagos në ishullin grek Kos, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit me magnitudë 6.7 e shkallës Rihter. Mediat greke thonë se ai është me iniciale A.B, dhe shtojnë se është një nga katër të plagosur që u transferuan për ndihmë më të specializuar mjekësore.

Shtypi grek konfirmon se shqiptari është transferuar në spitalin “Thriasio” në Athinë se bashku me një shtetas grek dhe një turiste skandinave. Kurse një tjetër shtetas grek i plagosur u transferua nga ishulli Kos drejt Kretës. Në gjendje më të rëndë prej 4 të plagosurve që u transferuan nga ishulli që u godit, është rasti i shqiptarit. Ai ka pësuar fraktura në pjesën e legenit dhe në shpinë.

Autoritetet greke thonë se shqiptari dhe dy të plagosurit e tjerë që u transportuan me helikopter drejt Athinës po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe nuk janë në gjendje të stabilizuar.

Nga tërmeti i fuqishëm që goditi ishullin grek Kos dhe Turqinë kanë humbur jetën të paktën dy persona dhe janë plagosur 115 të tjerë. Viktimat janë një shtetas turk 39-vjeçar dhe një turist nga Suedia 27 vjeç i quajtur Simon Andreas Nilsson. /

tvklan.al

                                                                       (Foto: 39-vjeçari turk që humbi jetën nga tërmeti)