Një tjetër shkollë në Tiranë ofron më shumë terrene sportive moderne që do shërbejnë jo vetëm për nxënësit, por edhe për banorët e zonës përreth. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e ambienteve sportive të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, të cilave i është shtuar edhe një fushë e veçantë tenisi.

Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj, ndërsa inspektoi përfundimin e punimeve, tha se në këtë mënyrë nxënësit do të kenë mundësi të zhvillohen jo vetëm nga ana arsimore, por edhe fizikisht.

Ai kujtoi se e gjithë zona përballë shkollës “Petro Nini Luarasi” ishte e shkatërruar, ndërsa tani jo vetëm që ka një infrastrukturë të re, por dhe ambiente moderne sportive në shkollë.

Veliaj tha se edhe pse Tirana ka pak hapësira, po bëhet gjithçka për shfrytëzimin maksimal të tyre në shërbim të komunitetit.

Investimi i Bashkisë për “Rikualifikimin e terrenit sportiv në shkollën “Petro Nini Luarasi” bëri të mundur ndërtimin e tre fushave sportive në këtë shkollë, përkatësisht një fushë basketbolli dhe volejbolli, një fushë futbolli dhe për herë të parë edhe një fushë tenisi.

Fushat e ndërtuara kanë të gjitha pajisjet e nevojshme sportive, terrene të ndriçuara por dhe rrethimet përkatëse./tvklan.al