Një javë nga sulmi terrorist në Londër ku mbetën të vrarë 8 persona dhe u plagosën rreth 50 të tjerë, detaje të reja dalin në dritë rreth ngjarjes. Hetuesit britanikë njoftojnë se masakra e 3 qershorit mund të kishte qenë edhe më tragjike, pasi terroristët e Shtetit Islamik tentuan të merrnin me qira një kamion 7.5 tonësh, të ngjashëm me atë të masakrës së Nisës dhe Berlinit, me qëllim që të shkaktonin sa më shumë viktima në urën e Londrës.

Por plani i tyre dështoi pasi nuk arritën të plotësonin disa formularë pagesash, kësisoj morën në një tjetër kompani fugonin me të cilin vërshuan drejt këmbësorëve. Pasi u përplasën në anë të urës, 3 agresorët nisën të sulmonin me thika qytetarët. Siç duket nga këto foto, në fugon u gjetën disa sende, mes të cilave këto bomba artizanale molotov, të cilat terroristët fatmirësisht nuk arritën t’i hidhnin drejt njerëzve.

Khuram Butt, Rachid Redouane dhe Youssef Zaghba ishin 3 terroristët që kryen sulmin e 3 terrorist në Britaninë e Madhe në vetëm pak muaj. Policia britanike ka arrestuar në total 18 persona, të dyshuar për lidhje me celulën xhihadiste. Kritika të shumta pati ndaj shërbimeve sekrete MI5 pas ngjarjes, pasi një prej terroristëve, Khruam Butt, njihej për prirje xhihadiste. Ai kishte marr pjesë në një dokumentar ku hapte flamurin e ISIS në një park publik.

Tv Klan