Khalid Massoud, 52-vjeçari që kreu sulmin në Londër ku u vranë 4 persona dhe u plagosën 28 të tjerë, mund të ketë pasur një bashkëpunëtor që e ka udhëzuar se si të vepronte deri në momentet e fundit të aktit terrorist.

Është ky detaji i fundit që po merr gjithmonë e më shumë formë dhe është vënë në qendër të hetimit. Lajmi bëhet publik nga mediat britanike të cilat zbulojnë se Massoud ka qenë në komunikim online pak momente para nisjes së sulmit të tij barbar.

Siç tregon edhe fotoja e publikuar nga Daily Mail, ai ishte aktiv në aplikacionin Whatsapp në orën 2:37 të së mërkurës, rreth 2 minuta përpara se të vërsulej me makinë drejt njerëzve në urën Wastminster.

Hetuesit dyshojnë se truri i sulmit terrorist mund të jetë dikush tjetër, edhe pse fill pas ngjarjes policia njoftoi se Khalid Massoud kishte vepruar i vetëm. Pista e një ideatori të mundshëm dhe zbulimit të komunikimeve vështirësohet për autoritetet, që duhet të hyjnë më parë në iPhone-in e terroristit, por nisur edhe nga precedenti me telefonin e autorit të masakrës së Orlandos në SHBA dhe faktit që Whatsapp ka një sistem të koduar bisedash, kjo nuk duket aspak e lehtë.

Tv Klan