Vetëm 3 ditë nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë, terrori mbërthen sërish Parisin.

Një oficer policie mbeti i vrarë, dy të tjerë u plagosën rëndë dhe një grua u lëndua nga sulmi mizor i 39-vjeçarit francez Karim Cheufri, një person i dënuar 4 herë nga gjykatat francez. Atentati ndaj patrullës së policisë u mor përsipër nga Shtetit Islamik.

Në një deklaratë për shtyp kryeprokurori francez, François Molin, konfirmoi lajmin se në automjetin e 39- vjeçarit francez u gjetën letra ku ai mbështeste kauzën e ISIS, si edhe disa adresa policësh. Detaji i fund shpjegon urrejtjen që autori kishte ndaj uniformave të policisë. Ai ishte dënuar në vitin 2001 me 15 vite burg për tentativë vrasjeje ndaj dy oficerëve, kreu 11 vite dënim, për t’u liruar më pas me kusht në vitin 2012. Prokurori francez sqaroi se Karim Cheufri ka qenë person i mbajtur nën përgjim, pasi konsiderohej i rrezikshëm, por nuk ka qenë asnjëherë në listën e personave të dyshuar për terrorizëm. Dyshohet se ai është radikalizuar në kohën kur vuante dënimin. Terroristi u arrestua në muajin shkurt, pas dyshimeve se kërkonte të vriste disa oficerë policie. Ai u la i lirë disa ditë më pas për mungesë provash, njoftoi prokurori. Një detaj i tillë vë në qendër të kritikave autoritetet franceze.

39-vjeçari qëlloi me breshëri kallashnikovi mbi patrullën e policicë. Këto janë momentet dramatike kur policia i kundërpërgjigjet zjarrit dhe vret terroristin.

3 familjarë të autorit u ndaluan nga policia. Ndërsa dyshohet se një tjetër persona ka marrë pjesë në sulmin ndaj oficerëve. Ngjarja e rëndë detyroi tre nga 11 kandidatët presidenciale të anulojnë aktivitetet elektorale të premten. Megjithatë, kryeministri francez, Bernard Cazeneuve njoftoi se raundi i pare i zgjedhjeve presidenciale do të zhvillohet siç është parashikuar, këtë të dielë.

Tv Klan