euro2016

Frika për sulme terroriste nuk do të ndryshojë axhendën e “Euro 2016”.

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, ka siguruar tifozët se vendi i tij është gati të presë turneun më të madh të futbollit europian në program për verën e ardhshme.

Cazeneuve foli mbi këtë çështje shumë të diskutueshme pas mbledhjes së fundit me drejtuesit e Ministrisë së Sporteve dhe organizatorëve të “Euro 2016”.

“Euro 2016 është një event madhështor dhe do të zhvillohet normalisht. Për këtë ne kemi rritur masat e sigurisë dhe kemi vendosur të gjithë pjesëtarët e ministrisë tonë në shërbim të këtij eventi. Masat e sigurisë për Euro 2016 do të jenë në shkallën më të lartë dhe nuk ka asnjë rrezik që eventi i verës së ardhshme të mos zhvillohet normalisht sipas parashkimeve”, tha ai.

Pikëpyetje të shumta mbi zhvillimin e “Euro 2016” u ngritën pas sulmeve të 13 Nëntorit në Paris. Franca do të presë verën e ardhshme miliona tifozë nga e gjithë Europa, ndërsa ambientet ku do të vendosen tifozët, që quhen “Fan Zone” mund të jenë në shënjestër të terroristëve.

Por autoritet franceze kanë siguruar tifozët se gjithçka do të jetë nën kontroll.

Masat e sigurisë do të jenë më të ashpra në zonat e tifozëve, ku më e madhja është parashikuar pranë kullës Eiffel me një kapacitet prej 120 mijë persona.

Këto zona do të jenë 24 orën nën monitorimin e kamerave të sigurisë dhe i forcave policore në terren.

I njëjti standard do të aplikohet edhe në të gjithë qytetet e tjerë që do të presin ndeshjet e Euro 2016.

Në këtë kompeticion do të luajë për herë të parë edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Gjithsesi Federata është në pritje të shortit të 12 Dhjetorit, për të vendosur më pas se ku do të qëndrojë përfaqësuesja kuqezi gjatë turneut.

Tv Klan