Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 11 dhjetorit kanë vazhduar me fushatën elektorale nëpër vendbanime të ndryshme të Maqedonisë duke dhënë premtime të shumta për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët.

Premtime të tilla po jepen edhe në Tetovë ku pjesa dërrmuese e banorëve janë shqiptar. Tetova me rrethinë është pjesë e njësisë së gjashtë zgjedhore e cila në votimet e 11 dhjetori do të zgjedh 20 deputetë të përbërjes së re parlamentare.

Partitë në këtë rajon me rreth 100 mijë banorë, premtojnë infrastrukturë moderne, investime, punësime, shkolla, spitale, objekte kulturore, zhvillim të turizmit, pastërti dhe shumë projekte tjera.

Por, sa u besojnë qytetarët premtimeve të tilla?

Ata në prononcimet e tyre për Radion Evropa e Lirë, thonë se janë të dëshpëruar me gjendjen aktuale dhe nga premtimet e shumta të partive që asnjëherë nuk janë realizuar.

Problemi kryesor me të cilin po përballen tetovarët është ndotja e madhe e ajrit. Sipas disa statistikave, Tetova ka rezultuar të jetë edhe qyteti më i ndotur në botë.

“Kjo është një bombë atomike sikurse në Hiroshima që ka pëlcitur edhe këtu tek ne çdo ditë njerëzit sëmurën me kancer e sëmundje tjera. Kjo është tragjedia më e madhe e Tetovës. Fajet i ka faktori ynë politik që është në pushtet. Nuk i kryen punët ashtu siç duhet. Nuk i ka kryer dhe as që do t’i kryej”, thotë Ilmi Selmani, banor i Tetovës.

Një tjetër banor, Sefedin Bajrami, pensionist, thotë se në Tetovë mungon pastërtia andaj, sipas tij, kujdes i veçantë duhet kushtuar rregullimit të qytetit, si qendër më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni.

“Është gërdi edhe të hysh në qytetin e Tetovës, por edhe të ecësh nëpër Tetovë. Është gërdi, gjithandej, letra dhe gjëra të panevojshme. Si qyteti kryesor i shqiptarëve duhet të jetë ndryshe, të ketë pamjet tjerë, por nuk ka asgjë”, thotë Bajrami.

Arben Saiti, student, thotë se premtimet e partive janë të mëdha edhe atë gjithmonë para cikleve zgjedhore duke premtuar gjithçka, por premtimet e tilla, siç thotë ai, zgjasin deri në ditën e zgjedhjeve.

“Ne jemi mësuar me premtime zgjedhore, pas çdo cikli zgjedhor. Besoni, zhgënjimet janë dyfish më të mëdha se sa ato paraprake. Do të kisha dashur që pas disa cikleve zgjedhore, vetëdija e popullatës që i zgjedh këto përfaqësues, të rritet dhe të jetë në nivelin e duhur duke i dënuar njëherë e përgjithmonë të gjithë ata që nuk e bëjnë punën e vet. Jo të na bëjnë shërbime neve si qytetarë, ata nuk na bëjnë shërbime neve, ata e bëjnë punën e vet. Për këtë edhe votohen”, thotë Saiti.

Ngjashëm vlerëson edhe Bialall Ramadani, i papunë.

“Premtimet janë të mëdha çdoherë e posaçërisht para zgjedhjeve. Mirëpo, qytetarët nuk i ndjejnë ndryshimet në kualitetin e jetës së tyre. Edhe këtë herë nuk besoj se mund të ketë ndryshime”, thotë Ramadani.

Tetovarët thonë se po ndjekim me vëmendje edhe premtimet e partive për të drejtat kolektive të shqiptarëve, në veçanti ato për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në nivel qendror.

“Pas disa viteve në pushtet të premtosh përsëri për gjuhë dhe për flamur. Këto janë vetëm përralla për natën e mirë, përralla për gjumë të ëmbël. Ky është një nënçmim i inteligjencës kolektive të shqiptarëve në Maqedoni, është me të vërtet non sens”, thotë Arben Saiti. (REL)