Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ka ritheksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për dialog, paqe dhe stabilitet si dhe normalizim të relacioneve me shtetet fqinje.

Lidhur me qëndrimet e fundit të kryeministrit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili kishte deklaruar se Serbia është ajo që po përpiqet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, kryeministri Mustafa tha se është fakt botërisht i njohur se “Republika e Kosovës është shembulli më i mirë rajonal dhe më gjerë i përkushtimit maksimal për forma demokratike të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”.

Sidoqoftë, kryeministri Mustafa tha po ashtu se Kosova e mirëpret edhe përkushtimin deklarativ të Serbisë për paqe dhe stabilitet.

“Në procesin evropian të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ne kemi dëshmuar parimësinë tonë maksimale dhe përkushtimin e plotë për paqe, stabilitet dhe qasje në përputhje me vlerat evropiane”, është shprehur Mustafa.

“Këtë e di krejt bota demokratike dhe po vjen në shprehje çdo ditë e më shumë. Andaj, ne në koordinim me BE-në, me SHBA-të dhe vendet tjera mike, do të vazhdojmë këtë qasje evropiane dhe konstruktive, e cila nuk ka për synim nxitjen e tensioneve, konflikteve, por normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, pa dëmtuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në Kosovë”, tha kryeministri Isa Mustafa, për Radio Evropën e Lirë.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç kishte deklaruar para një takimi që kishte thirrur në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës se do të jap kontributin maksimal për paqe në rajon.

“Do të japim gjithçka nga vetja që ta ruajmë paqen, ndërkaq nga Prishtina nuk presim asgjë”, ka porositur kryeministri serb Vuçiç, i cili kishte pranuar se “situata është e komplekse”.

Ndërkohë, kryeministri Mustafa, ka theksuar në vijim se “serbët e Kosovës janë plotësisht të sigurt dhe se ata i mbrojnë ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe se askush nuk ka asnjë arsye që të shqetësohet në këtë drejtim”.

Ndërkaq, lidhur me takimin e fundit të mbajtur në Bruksel, kryeministri Mustafa nuk ka pranuar të komentojë duke theksuar se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e ka sqaruar këtë çështje përmes deklaratës për media

Presidenti Thaçi garanton serbët e Kosovës

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një komunikate për medie, ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin për siç është thënë “fushatën propagandistike në stilin e vjetër të Serbisë, e cila vazhdon të ndjell frikë dhe urrejtje ndëretnike tek komuniteti serb që jeton në pjesën veriore të Kosovës”.

Siç thuhet në komunikatë, propaganda e orkestruar nga Serbia synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit, si dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Ai e ka ftuar Serbinë, siç ka thënë, që të heq dorë nga praktikat e tilla “të cilat nuk i shërbejnë në asnjë formë procesit të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” .

“Me këtë rast, dua ta sigurojë komunitetin serb që jeton në Kosovë se asnjë e keqe kurrë nuk do t’iu ndodhë atyre nga ana e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë demokratike dhe mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike”, thuhet në komunikatën për medie të presidentit Thaçi.

Ai gjithashtu është shprehur se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon. (REL)