Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e dorëzoi sot në parlament, projektligjin për ndryshimin e misionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga një forcë civile në një forcë me përgjegjësi mbrojtëse e ushtarake. Në një intervistë me Zërin e Amerikës pas dorëzimit të projektligjit, ai tha se do të dëshironte që ky proces të mbështetej edhe nga përfaqësuesit politikë të serbëve të cilët po pengohen nga Beogradi. Në intervistën me korrespondentin tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, presidenti Thaçi tha se fati i Kosovës nuk është i lidhur me fatin e asnjë kryeqyteti të rajonit.

Zëri i Amerikës: Zoti president, sot dorëzuat projektligjin për ndryshim të misionit të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Për çfarë ndryshime bëhet fjalë?

Hashim Thaçi: Në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore si president i Republikës së Kosovës dhe si komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke respektuar edhe rregulloren e punës së parlamentit të Kosovës, sot i kam dorëzuar kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryesisë së parlamentit, projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri moderne të Kosovës, një ushtri e standardeve të NATO-s, një ushtri shumë etnike si një proces krejt normal, një ndryshim ligjor që e ndryshon karakterin, përmbajtjen dhe misionin aktual të FSK-së. Pra nga FSK misioni aktual apo një mision civil në një mision të qartë ushtarak.

Zëri i Amerikës: Kur flasim për misionin ushtarak, çfarë përgjegjësish pritet të ketë Forca e Sigurisë së Kosovës?

Hashim Thaçi: Forca e Sigurisë do të luaj rolin dhe detyrat si çdo ushtri e çdo vendi të pavarur dhe sovran, do të jetë në shërbim të çdo qytetari të Kosovës, do të jetë forcë shumë etnike dhe do të ruaj tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kur pritet të miratohet kjo në parlament?

Hashim Thaçi: Tanimë hapat e parë janë bërë në kuptimin zyrtar institucional. Kryesia e Parlamentit nesër do të shqyrtojë këtë çështje, do ta bartë te qeveria e Kosovës për të dhënë mendim dhe unë dua të besoj që në ditët e ardhshme do të thotë më së largu javën e ardhshme, do të dërgohet për votim në Parlamentin e Kosovës. Dua të besoj dhe shpresoj, për çka ju bëjë thirrje gjithë skeptrit politik të Kosovës pa dallime ideologjike dhe partiake, të bëhemi bashkë për interesin e shtetit, për interesin e qytetarëve të Kosovës, për interesin e së ardhmes së anëtarësimit të Kosovës sa më shpejt në NATO, sepse nuk ka anëtarësim të Kosovës në NATO pa ushtri. Dua të besoj që kjo çështje do të bashkojë spektrin politik të Kosovës pa dallim etnik apo partiak.

Zëri i Amerikës: Zoti President, këto ndryshime po kundërshtohen nga përfaqësuesit politik serb në Kosovë dhe autoritetet në Beograd, si ju përgjigjeni këtyre kundërshtimeve?

Hashim Thaçi: Unë edhe në vitin 2014 në kuadër të rishikimit të sektorit të sigurisë në Kosovë kam propozuar në atë kohë dhe kemi pasur miratimin e plotë të të gjithë faktorit relevant ndërkombëtar, që të kemi shndërrimin nga Forca e Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Për fat të keq, atëherë, për shkak të çështjeve të ndryshme të brendshme të politikës shqiptare në Prishtinë, nuk ndodhi kjo dhe në atë kohë serbët e kanë mbështetur themelimin e Forcave të Armatosura dhe të gjitha komunitetet tjera, ndërsa tash e tri vite jemi në pritje të një përgjigje tjetër tani më nga deputetët e Listës Serbe dhe të cilët janë deklaruar shumë qartë se kurrë nuk do ta votojnë themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe ky qëndrim i Listës Serbe është i dirigjuar direkt nga qeveria e Beogradit. Fati i Kosovës nuk është i lidhur me fatin e asnjë kryeqyteti të rajonit. Jemi vend i pavarur dhe sovran që marrim vendimet vet, prandaj edhe në këtë drejtim, unë dua të besoj që edhe nëse Lista Serbe nuk ka qenë e gatshme të votojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të votojë ligjin për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, një ushtri jo vetëm e shqiptarëve, por një ushtri shumë etnike dhe në shërbim të të gjithëve.

Zëri i Amerkiës: Por, këto ndryshime a mund të rrisin tensionet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, për shkak të mënyrës se si po ndryshohet statusi i Forcave të Sigurisë?

Hashim Thaçi: Definitivisht Forca e Sigurisë së Kosovës si Ushtri e ardhshme dhe moderne e Kosovës, synim ka anëtarësimin në NATO, do t’u shërbej të gjithë njerëzve të Kosovës, do ta ruaj tërësinë territoriale të vendit, do t’i shërbej paqes dhe stabilitetit në rajon dhe do të jetë në shërbim të paqes kudo në botë, pra do të jetë një ushtri e paqes, mbrojtëse dhe do të jetë një ushtri në suaza të funksionimit të vlerave dhe vizionit euro-atlantik.

Zëri i Amerikës: Zoti President, a e keni përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara, të cilat vazhdimisht kanë deklaruar se kjo çështje duhet të zgjidhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe me marrëveshje me përfaqësuesit serb në Kosovë?

Hashim Thaçi: Edhe unë kam punuar tash e tri vite që kjo çështje të shkoj përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do të dëshiroja që shumë të ndodh kjo. Një mbështetje të tillë kemi pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga NATO-ja, mirëpo është bërë e pamundur thjeshtë pas deklarimeve shumë të hapura, të qarta dhe të vendosura të Listës Serbe dhe të Beogradit që nuk e lejon dhe e kërcënon listën Serbe për të mos votuar FSK-në. Kështu që, tash e vetmja mundësi ka mbetur që Kosova të mbetet pa ushtri ose të kalojë në planin B, do të thotë shndërrimin e FSK-së në ushtri moderne. Kështu që ky vendim është në autoritetin tonë. I kemi informuar të gjithë faktorët relevant ndërkombëtar, të gjithë i dëshirojnë ndryshimet kushtetuese dhe do të punojmë deri në momentin e fundit që kjo të ndodhë. Përndryshe procesi i shndërrimit ka filluar, është institucional, kushtetues e ligjor, është në kuadër të vlerave dhe kornizës Euro-Atlantike prandaj unë kam besim të plotë se edhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë reflektuese në mirëkuptimin e këtij angazhimi shumë të drejtë të institucioneve të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk po bëhet për tu angazhuar kundër askujt, askush nuk ka nevojë të ndihet i kërcënuar, përkundrazi, do të jemi faktor i paqes dhe stabilitetit, fqinjësisë së mirë, dialogun me Serbinë do ta vazhdojmë dhe do të punojmë në normalizim të marrëdhënieve, ndërsa unë dua gjithashtu të shpresoj që ky do të jetë një mesazh shumë i mirë se Kosova po konsolidohet si shtet i pavarur dhe Sovran.

Zëri i Amerikës: Zoti President, këto ndryshime në statusin e Forcave të Sigurisë, po ndodhin në një kohë kur rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me tensione në rritje. Dje shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se këto tensione janë “skajshmërisht të rrezikshme”. Çfarë po ndodh aktualisht në këtë rajon sipas jush?

Hashim Thaçi: E ritheksoj edhe njëherë që e gjithë bashkësia ndërkombëtare ka pretenduar dhe punuar me ne që të ndodhin ndryshimet kushtetuese për themelimin e ushtrisë, mirëpo këto nuk ndodhën dhe bashkësia e ka një qëndrim shumë të qartë, në fund të fundit është vendim i institucioneve vendore për formën dhe themelimin e ushtrisë. Është e vërtetë që Ballkani Perëndimor po përballet me situatë të palakmueshme, të paqëndrueshme, me kriza të brendshme politike, me një vonesë të pajustifikueshme të Bashkimit Evropian për zgjerim me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Një vonesë e tillë po ndodh edhe me Kosovën për fat të keq dhe në kuadër të këtyre vonesave krejt teknike dhe burokratike të BE-së, po kemi lindje të ekstremizmave të ndryshëm, të nacionalizmave, por edhe të pretendimit të ndikimit rus në tërë Ballkanin Perëndimor. Kështu që, Brukseli duhet të ketë një qasje më të shpejt dhe më strategjike për rajonin që të integrohet. Nuk është e justifikueshme të na tregohet se si nuk mund të integrohemi por duhet të jepen mesazhe se si mund të integrohemi sa më shpejt.

Zëri i Amerikës: Zoti President ditëve të fundit janë rikthyer debatet për çështjen e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kur mund të pritet që kjo marrëveshje të ratifikohet?

Hashim Thaçi: Unë besoj që qeveria e Kosovës do ta dërgoj në ditët e ardhshme dhe gjithashtu shpresoj që deputetët e Parlamentit të Kosovës më në fund do të votojnë për marrëveshjen për shënimin e kufirit dhe Kosova do të ketë të drejtën e liberalizimit të vizave, sepse tashmë është qëndrim shumë i qartë i Bashkimit Evropian, pa votim të kësaj marrëveshjeje nuk ka viza për Kosovën, jo me muaj apo vite, por dekada.

Zëri i Amerikës: Si mund të ndodh kjo kur ka ende mospajtime të thella ndërmjet partive politike?

Hashim Thaçi: Unë besoj dhe shpresoj që këto mospajtime do të tejkalohen dhe do të dominojë përgjegjësia dhe arsyeja e interesit shtetëror më tepër se sa interesat partiake.

Zëri i Amerikës: Zoti President, kur jemi tek detyrimet ndërkombëtare, ditëve të fundit janë shuar kërkesat për të rishqyrtuar ligjin mbi Gjykatën e Posaçme për Kosovën. Sa është e mundur të bëhen ndryshime në të?

Hashim Thaçi: Ne e kemi theksuar edhe më herët rëndësinë e themelimit të kësaj gjykate por edhe padrejtësinë historike për themelimin e saj vetëm për shqiptarët. Sidoqoftë, institucionet e Kosovës kanë kryer obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore dhe i kemi dhënë mbështetje të plotë funksionimit të drejtësisë, nuk kemi asgjë për të fshehur dhe në kuadër të bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare kemi bërë edhe këta hapa konkretë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, jeni kritikuar kohët e fundit për themelimin e komisionit për pajtim dhe për shumëkënd në Kosovën ky është një veprim i hershëm që do të duhej të bëhej pasi të jetë vënë drejtësia në vend. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Hashim Thaçi: Iniciativa ime për themelimin e Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin është në kuadër të angazhimeve të mia presidenciale për ndërtimin e një shoqërie shumë etnike me demokraci qytetare për Kosovën si atdhe i gjithë qytetarëve të saj. I kuptoj zërat kritikë, por ndihem i inkurajuar nga një mbështetje masive që po ndodhë edhe prej spektrit politik, edhe prej shoqërisë civile, mediave dhe prej shoqatave të personave të pagjetur. Prandaj nëse po ndodh fenomeni i mrekullueshëm, që njerëzit që kanë të humburit e tyre po deklarohen për të vërtetën dhe pajtimin, mendoj se deklarimet politike janë krejt të paqëndrueshme të individëve të caktuar dhe do të vazhdojmë të punojmë për të vërtetën, sepse e vërteta e ndihmon drejtësinë dhe nuk e zëvendëson dhe që të ndodh pajtimi ndër etnik në Kosovë. Ky pajtim e ndihmon Kosovën në lëvizjen përpara, është standard ndërkombëtar dhe civilizues evropian, është në traditën edhe tonën. Ne e dimë që Serbia ka kryer gjenocid, por nuk duam armiqësi, urrejtje dhe hakmarrje por duam mirëkuptim, fqinjësi dhe të ardhme të përbashkët si vende të pavarura në rajon që të jemi edhe Kosova edhe Serbia pjesë e NATO-s dhe BE-së. Prandaj i kuptoj edhe zërat ndryshe, por kjo është rruga e drejtë e qëndrueshme, efektive dhe një rrugë që na çon përpara.