Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, në prag të nisjes së Samitit të shteteve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor që mbahet këtë vit në Sofje.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se me liderin bullgar ka biseduar për mundësitë që ofron ky Samit për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit.

“Kushti kryesor për anëtarësim në BE, përveç plotësimit të kritereve të Kopenhagës, sigurisht që është mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajonin tonë, të cilat janë të përcaktuara për t’u anëtarësuar në BE”,

ka thënë ai.

 Përveç tjerash presidenti i Kosovës ka theksuar arritjen e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se Kosova ka “gatishmëri për të mbyllur kapitullin e konflikteve”.

Statusi i Thaçit:

Vetëm pak ditë përpara mbajtjes së Samitit të përbashkët historik të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, sot përsëri zhvillova një bisedë miqësore telefonike me mikëpritësin e këtij Samiti, Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, shtet ky që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian.

Së bashku, diskutuam sërish për rëndësinë dhe mundësinë e madhe që ofron ky Samit për të qartësuar rrugën evropiane për Kosovën dhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kushti kryesor për anëtarësim në BE, përveç plotësimit të kritereve të Kopenhagës, sigurisht që është mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajonin tonë, të cilat janë të përcaktuara për t’u anëtarësuar në BE.

Brenda këtij konteksti, për Kosovën dhe Serbinë, mbetet jetike arritja e marrëveshjes obligative ligjore për normalizim dhe pajtim. Unë e sigurova mikun tim Bojko se ne në Kosovë, jemi të gatshëm që në relacion me Serbinë ta mbyllim kapitullin e konflikteve dhe ta hapim atë të paqes.

Këtë frymë të paqes dhe të bashkëpunimit, unë do ta përcjell në emër të qytetarëve tanë edhe në Samitin e Sofjes, sepse ne jemi evropianë dhe sjelljet tona duhet të jenë të tilla.

Ky ishte mesazhi im kryesor për mikun tim Boyko, i cili meriton respekt dhe konsideratë të lartë për organizimin e këtij Samiti. HTH

/tvklan.al