Presidenti i Kosovës përfshihet në debatin që ka ngjallur në opinionin publik mbulimi i statujës së Skënderbeut gjatë faljes së Kurban Bajramit në Tiranë. Hashim Thaçi shfrytëzoi ceremoninë e inaugurimit të katedrales së Nëne Terezës në Prishtinë për të dhënë një mesazh të fortë.

“Dua të theksoj fuqishëm se nuk ka beze, as pëlhurë, të bardhë apo të zezë, që mbulon madhështinë kombëtare dhe civilizuese të Gjergj Kastriotit.”

Debati u provokua pas vendosjes së dy monitorëve që zinin pamjen e statujës në sheshin “Skenderbej”, gjatë faljes së Kurban Bajramit.

Përfaqësues të Komunitetit Mysliman reaguan duke sqaruar se askush nuk ka pasur si qëllim te mbulonte heroin kombëtar.

Por më vonë u pranua nga disa prej besimtarëve se nuk lejohej falja para asnjë statuje.

Politika në Shqipëri i ka qëndruar larg këtij debati, teksa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi bëhet i pari politikan që bëhet pjesë e tij, me një qëndrim të qartë./Tv Klan