Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti po qëndron sot në Kosovë. Ai fillimisht është pritur nga Presidenti Hashim Thaçi

 

dhe më pas ka takuar dhe ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demollin.

Presidenti Thaçi, sipas një komunikate për media, ka theksuar se roli i NATO-s në Kosovë ka qenë përcaktues jo vetëm në ruajtjen e stabilitetit dhe rritjen e sigurisë, por edhe në bashkëpunimin ndërmjet të gjitha komuniteteve.

Roli juaj në Kosovë, si dhe në rajon është i pazëvendësueshëm. Do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje

”, ka theksuar Presidenti.

Sipas tij, Kosova ka përfunduar me sukses procesin e zgjedhjeve, të cilat kanë qenë të lira, fer dhe demokratike.

Tani jemi në proces të krijimit të institucioneve të Kosovës, të cilat do të jenë multietnike dhe me orientim të qartë euroatlantik

”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke folur për bashkëpunimin me shtetet e rajonit, presidenti Thaçi ka përshëndetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke shpresuar që rrugën e njëjtë do ta ndjekin edhe shtetet tjera, duke kontribuar kështu për paqen afatgjatë në rajon.

Nga ana tjetër, komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjeneralin, Curtis Scaparrotti ka thënë se NATO është e përkushtuar të qëndrojë në Kosovë, për të siguruar paqe dhe stabilitet për krejt rajonin, vijon komunikata.

Presidenti ka theksuar se Kosova është duke punuar që të përmbyll procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Kjo do të ndodh në koordinim të plotë me ju dhe me përfshirjen e të gjitha institucioneve dhe komuniteteve në Kosovë

”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Kosova po ashtu do të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për bashkëpunimin rajonal dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore.

Gjenerali Scaparroti, i cili njëherësh është dhe Komandanti i Komandës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë, gjatë këtyre takimeve në Prishtinë po shoqërohet nga komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo.

Para largimit nga Kosova, Scaparrotti pritet të mbajë dhe një konferencë për media në Aeroportin Ushtarak në Sllatinë. /REL