Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se provokimet e Serbisë ndaj Kosovës janë pjesë e “skenarit të vjetër për ndarjen e një pjese të Kosovës”.

“Serbia llogarit se me ndihmën e Rusisë mund të ndajë Kosovën dhe kjo ishte arsyeja pse një tren i Rusisë ishte nisur nga Beogradi për në Kosovë. Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka ishte e planifikuar”, ka thënë Thaçi.

“Kërcënimet e Serbisë për luftë, ka shtuar Thaçi, janë dëshmia e një skenari që si qëllim aneksimin, e më pas edhe ndarjen e veriut të Kosovës.

“Kërcënimi i vetëm për serbët e Kosovës, është atëherë kur Serbia i përdorë ata për realizimin e qëllimeve të saj”, ka shtuar Presidenti i Kosovës.

Beogradi, sipas tij, është i gatshëm që t’i viktimizoj serbët e Kosovës për t’i realizuar synimet e veta politike e ushtarake, ashtu siç ka vepruar në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci.

Thaçi ka thënë se fjala “luftë” do të duhej të largohej nga fjalori nacionalist në Serbi.

“Nëse Serbia thërret për luftë, Kosova bën thirrje për paqe. Nëse Serbia bën thirrje për ndarje territoriale, Kosova bën thirrje për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë ndër tjera, presidenti kosovar./ tvklan.al

Burimi: REL