Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar Presidentin amerikan Donald Trump dhe atë turk, Recep Tayyip Erdogan.

Bashkë me Lumen i takuam presidentin Donald Trump dhe zonjën e parë, Melania Trump, të cilët i falënderuam për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.

Presidenti Trump na rikonfirmoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në rrugëtimin euroatlantik

”, shkroi Thaçi në një postim në Facebook, sëbashku me një foto ku shfaqeshin dy liderët me bashkëshortet e tyre.

Po ashtu, në kuadër të takimeve në seancën e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork Thaçi dhe Zëvendëskryeministri i parë e Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, u takuan edhe me delegacionin turk të kryesuar nga Erdogan.  

Në takim, Thaçi tha se Kosova i është mirënjohëse Turqisë për rolin e saj në përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe njohjen nga vendet e tjera.

Kreu i shtetit ftoi për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në ekonomi. Presidenti Thaçi e ftoi presidentin Erdoğan që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt në funksion thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Megjithëse ka shpallur pavarësinë që prej vitit 2008 dhe njihet nga më shumë se 110 shtete, Kosova nuk është anëtarësuar ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Rusia ka të drejtën e vetos. /tvklan.al