Robert Elsie do të prehet në Shqipëri. Amaneti i albanologut të njohur është përmbushur. Banesa e tij e fundit do të jetë në zemër të Alpeve Shqiptare, në Theth. Ceremonia e lamtumirës do të prihet nga homazhet që do të zhvillohen fillimisht në Bibliotekën Kombëtare të martën.

Më pas trupi i pajetë i Robert Elsie do të udhëtojë drejt Shkodrës për të përmbyllur edhe nderimet e fundit për njeriun që e deshi Shqipërinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën e saj si asnjë tjetër i huaj. Një sëmundje e rrallë e neuroneve motorike i mori jetën krejt papritur në moshën 67-vjeçare në fillim Tetori.

Lajmi i ndarjes nga jeta ishte një tronditje për botën akademike jo vetëm për projektet e lëna në mes që gjithnjë kishin të bënin me njohjen e historisë, kulturës dhe traditave shqiptare, por sepse ishte i fundit albanolog që kërkimi shkencor ishte vetë jeta e tij, dhe jo një detyrë për të cilën duhej të paguhej.

Janë me dhjetra studime në gjuhë, letërsi, histori të kryera nga Robert Elsie, njeriut që i dhuroi anglisht dhe gjermanisht folësve “Kanunin e Lek Dukagjinit” dhe “Lahuta e Malcis”. Recesionist i veprave të shkrimtarëve më të njohur shqiptar, njëherësh përkthyes, përmes faqeve të njohura në internet ai i jepte çdo ditë botës dokumente të historisë tonë, koleksione fotografish, pikturash dhe një nga projektet unike në llojin e tyre, regjistrimet zanore të 150 të folmeve të shqipes.

Tv Klan