Tirana ra për herë të parë në historinë e saj nga kategoria. Ekipi 24 herë kampion i vendit nuk mundi të merrte një fitore në fushën e Vllaznisë. Derbi i Shqipërisë u mbyll pa gola edhe pse të dy ekipet patën mundësi shënimi. Bardheblutë pësuan kështu goditjen më të fortë dhe sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë.

Pjesa e parë ishte më shumë për Vllazninë, por Ilion Lika nuk lejoi gol në portën e tij. Skuadra shkodrane mbështetej nga tifozë të shumë, pasi hyrja në “Loro Boriçi” ishte falas. Pas pushimit lojtarët e Tiranës krijuan më shumë, por pa mundur të shënojnë në portën e Erind Selimajt.

Nervozimi në çastet e fundit la ekipet me nga 10 futbollistë, për shkak të kartonëve të kuq. Cisse dhe Pjeshka lanë fushën. Kjo sfidë tepër e rëndësishme u gjykua nga italiani Paolo Mazzoleni për të shmangur çdo kontestim. Laçi mbijetoi, pasi mundi Teutën me rezultatin 2 – 1.

Në Superligë qëndroi edhe Flamurtari që fitoi 3 – 0 me Korabin në sfidën e fundit të kampionatit. Kukësi pësoi humbjen e parë në këtë kampionat, 1 – 0 me Luftëtarin në Gjirokastër. Në barazim 2 – 2 përfundoi sfida Skënderbeu – Partizani.

Tv Klan