Një fitore e vuajtur me rezultatin 1 – 0 ishte ajo e Tiranës në startin e Kategorisë së Parë. Bardheblutë shpëtuan nga goli i Maweje në minutat e fundit për të marrë 3 pikët përballë Ilirisë së Fushë-Krujës. Sulmi i Tiranës e pati të vështirë të godiste portën, ndërsa loja nuk i ngjante finales së Superkupës së Shqipërisë.

Trajneri i Tiranës, Ze Maria tha se:” Jam i kënaqur vetëm me rezultatin, pasi pjesa tjetër e parë vetë. Ishte ndeshja e parë dhe ishte në detyrim ta fitonim. Është një ekip që do të rritet hap pas hapi. Ju keni në mendje atë ndeshje me Kukësin, ne duam ta përsërisim, por do të jetë e vështirë të përsërisim atë ndeshje.”

Trajneri i Ze Maria kishte lënë jashtë grumbullimit Albi Dokën dhe u mjaftua duke thënë se çdo lojtar duhet të tregojë disiplinë. Miqtë kishin ardhur në “Selman Stërmasi” për të marrë një barazim, duke ngritur një reshtim mbrojtës.

Ndërsa Trajneri i Ilirisë së Fushë-Krujës, Fatmir Sala tha: “Shkoi drejt barazimit, por lodhja bën punën e saj dhe pësuam një gol nga larg.”

Në këtë ndeshje u kthyen në stadium edhe grupimi Tirona Fanatics, por për të protestuar sërish ndaj presidentit Refik Halili. Nuk munguan edhe momentet e tensionit mes tifozëve dhe policisë.

Ndeshja e radhës për Tiranën që ka si synim kthimin në Superligë do të jetë ndaj një rivali të vështirë si Pogradeci./Tv Klan