Tirana do të ketë një sallë të re operative të shërbimit të emergjencave dhe një autoambulancë me pajisje të teknologjisë së fundit, në mbështetje të sistemit dhe shërbimit të urgjencës mjekësore. Në 5-vjetorin e themelimit të Emergency Response Albania (ERA), kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf, mori pjesë në përurimin e sallës së re dhe të autoambulancës që do të shërbejë gjatë 24 orëve në 7 ditë të javës në qytetin e Tiranës.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për përmirësimin e shërbimit dhe vlerësoi kontributin e punonjësve të zjarrfikësve dhe të punonjësve të emergjencave.

“Më vjen mirë që Fondacioni Zviceran për Inovacionin ka qenë një bekim për ne, për qytetin tonë dhe komunitetin”,

tha ai, duke i cilësuar punonjësit e shërbimit zjarrfikës dhe të urgjencave si heronjtë e heshtur të qytetit.

 “Respekt për ata që shërbejnë, një pakicë e shoqërisë që del nga rehatia e vet për të sakrifikuar për të tjerët. Unë besoj që kemi nevojë për këtë kulturë në kombin tonë. Është shtuar respekti për uniformën e policisë, për punën e zjarrfikësit, për bluzën e bardhë të mjekut, por ende nuk jemi aty ku duhet. Shpeshherë lejojmë që raste individuale, të veçuara, të karakterizojnë një trup të tërë njerëzish të përkushtuar. Mbaj mend episodin e fundit kur ra zjarr në Bibliotekën Kombëtare, unë kisha parë njerëz që të sakrifikonin për njerëz të tjerë, por që njerëz që të sakrifikonin për libra ishte e paprecedentë. Aty kuptojmë në fakt që Shqipëria është e mbushur me heronjtë e heshtur”,

tha Veliaj, teksa shtoi se sensi i detyrës dhe i trajtimit të uniformës me respekt e dinjitet, pavarësisht kush është në pushtet, meriton të vlerësohet.

Kreu i Bashkisë kërkoi që qytetarët të tregohen mirëkuptues duke krijuar bashkërisht një histori suksesi.

“Jam i sigurt që për çdo njeri që mund të ketë bërë një gabim, janë 10 mijë të tjerë me uniformë që shërbejnë me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Do doja që sikur secili prej nesh, qoftë kjo për mjekët, për zjarrfikësit, për policët, për shërbimet e emergjencave, secili prej nesh të angazhohet në këtë frymë pozitive. Unë besoj që mund të kemi një vend më mirëkuptues dhe në vend të histerisë të bëjmë histori me shërbimet tona”,

theksoi Veliaj.

Ai dha edhe një lajm të mirë për të gjithë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit.

“Edhe këtë fundvit do të japim një shpërblim për të gjithë punonjësit tanë të Bashkisë së Tiranës, sidomos ata të emergjencave, jo se paratë bëjnë diferencën, por për të treguar se për ne sakrifica njerëzore është po aq e dobishme, në mos më e dobishme  se sa infrastruktura”

, deklaroi Veliaj. Një muaj më parë, të gjithë punonjësit e sektorit të mbështetjes e logjistikës në Drejtorinë e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, njohur ndryshe edhe si shërbimi zjarrfikës, përfituan rritje page dhe shpërblim për mirëmenaxhimin e situatës së zjarreve gjatë verës.

Christoph Graf, Ambasador i Zvicrës në Shqipëri shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit në këtë nismë e cila synon që të përmirësojë sektorin e shëndetësisë dhe ofrimin e këtij shërbimi për të gjithë qytetarët e Tiranës.

“Jam i gëzuar që ky fondacion privat po siguron një shërbim jetësor me standarde të larta zvicerane për situatat e emergjencës në Shqipëri”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf. Ambasada e Zvicrës dha 43,000 Euro për qendrën e re të operacioneve e cila mundëson komunikim më të shpejtë dhe më të mirë midis ERA dhe spitaleve apo klinikave. “Ajo që shohim këtu sot është teknologji e klasit më të lartë – e njëjta që përdoret edhe në qytete zvicerane”,

shtoi Ambasadori Graf.

Christian Vögel, i cili udhëheq Fondacionin Zviceran për Inovacion dhe që themeloi Emergency Re-sponse Albania tha:

“ERA, si një shërbim mbështetës, ka një bashkëpunim të shkëlqyer me strukturat shtetërore si në kujdesin shëndetësor dhe ne polici apo zjarrfikës. Është e mahnitshme kur sheh të rinj shqiptarë profesionistë të shëndetësisë të cilët zgjedhin jo të emigrojnë por në vend të kësaj të përkushtohen ndaj shpëtimit të jetëve duke u angazhuar me ERA”.

 Kryebashkiaku Veliaj ndoqi më pas dhe një demonstrim të trajtimit të një rasti ku kërkohet ndërhyrja e emergjencës mjekësore.  

Shërbimet e ERA-s në Tiranë ofrohen falas për çdo qytetar pa dallim, mbështetur nga donacione vullnetare. Që prej 2015 ERA po zbaton një projekt të shërbimit të emergjencës mjekësore paraspitalore në përputhje me standardet ndërkombëtare në këtë fushë. Ky projekt synon të krijojë një model ekselence bazuar në praktikat më të mira evropiane e amerikane duke ia përshtatur ato kontekstit shqiptar./

tvklan.al