Pavarësisht se platforma e përbashkët e partive shqiptare u firmos në Tiranë, krerët e shtetit shqiptar mohojnë të kenë ndërhyrë në punët e brendshme të Maqedonisë.

Presidenti Bujar Nishani në një intervistë për mediat maqedonase, sqaroi se platforma e përbashkët është investim dhe përgjegjshmëri tërësisht e faktorit shqiptar politik në Maqedoni, në interes të të drejtave të shqiptarëve dhe kontribut real për të ardhmen e Maqedonisë.

Sipas Nishanit, Shqipëria thjeshtë kujdeset për shqiptarët në Maqedoni njësoj si dhe për shqiptarët në Mal të Zi e Luginë të Preshevës.

“Ka qenë një iniciativë e vetë faktorit shqiptar në Maqedoni për të informuar faktorët relevant në Shqipëri. Nuk ka asnjë ndërhyrje, sepse nuk ka asnjë inicim të iniciativave të posaçme për mënyrën se si Shqipëria duhet t’u tregojë shqiptarëve në Maqedoni se si mund të ndërtojnë ata qeverisjen e ardhshme, si duhet të vendosin ata në koalicione, si duhet të vendosin në mënyrën e emërimit të njerëzve që do t’i përfaqësojnë”.

Shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati thotë se platforma synon bashkëjetesë më të mirë mes maqedonasve, shqiptareve por edhe minoriteteve të tjera në Maqedoni. Madje ajo ofron hapësirë për më shumë liri, barazi dhe demokraci.

Platforma, sipas Bushatit, ka për bazë Marrëveshjen e Ohrit, për respektimin e së cilës nuk mund të negociohet.

“Shteti shqiptar nuk është përfshirë në çështjet e brendshme të një vendi mik dhe fqinj, siç është Maqedonia. Shteti shqiptar, qeveria shqiptare ka zbatuar një detyrim kushtetues që ka të bëjë me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë”

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Popovski ditë më parë kritikoi ashpër politikanët në Tiranë se ndërhyjnë në punët e Maqedonisë me qëllim të përfitimit të pikëve politike./ tvklan.al