Krerët politikë shqiptarë kanë uruar presidentin e ri amerikan, Donad Trump. Presidenti Bujar Nishani në mesazhin e tij thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor i Shqipërisë. Presidenti thekson se Shqipëria do jetë krah amerikës në luftën ndaj ISIS.

Kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook presidentin amerikan Donald Trump. “Urime Presidentit Trump! Zoti e ndihmoftë në detyrën e tij! Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!”, shkruan Basha në postimin e tij.

Mesazhi i plotë i Presidentit

“Shkëlqesia Juaj,

Inaugurimi dhe marrja e detyrës së Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më jep edhe njëherë kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju shpreh urimet më të mira e të sinqerta dhe t’Ju uroj shumë suksese në përmbushjen e angazhimeve presidenciale.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për gjithçka Shtetet e Bashkuara kanë bërë në mbështetje të shqiptarëve për më shumë se një shekull, si dhe bindjen se partneriteti strategjik mes dy vendeve do të thellohet edhe më shumë gjatë presidencës suaj.

Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë për Shqipërinë dhe shqiptarët mikun dhe partnerin kryesor strategjik dhe ju siguroj se shqiptarët do të vijojnë të jenë krah jush në realizimin e agjendës suaj kundër ISIS dhe terrorizmit ndërkombëtar, por edhe për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të agjendës euroatlantike.

Me dëshirën për t’ju takuar në një rast sa më të parë, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!/ tvklan.al