“Mëngjesin e sotëm në banesën në fund të kësaj rrugice, policia u njoftua për një krim në familje. Në banesë policia gjeti të vrarë bashkëshortët Halil e Dije Lita. Nga hetimet e para policia ka mësuar se bashkëshorti vrau fillimisht gruan dhe më pas vrau veten.”

 Ende nuk dihen motivet e krimit të rëndë, por policia paraprakisht thotë se krimi ndodhi për shkak të një konflikti të çastit, mes 65-vjeçarit dhe bashkëshortes së tij 56 vjeçe. Në vendin e ngjarjes, ekspertët sekuestruan armën e krimit, një automatik “Kallashnikov” dhe pesë gëzhoja.

I vëllai Halil Litës, i tha policisë se rreth orës 11 të dy bashkëshortët, kishin qenë duke debatuar në një nga dhomat e banesës së tyre, në këtë vilë trekatëshe. Më pas burri doli nga dhoma dhe iu tha të afërmve që ndodheshin në banesë se kishte vrarë gruan. Pas pak momentesh Halili është futur sërish në ambientin ku ndodhej trupi i gruas, kur është dëgjuar një tjetër e shtënë.

Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet. Nga këqyrja paraprake mësohet se gruaja kishte tri plagë në trup, ndërsa burri vetëm një plagë në kokë. Halil e Dije Lita jetonin prej vitesh në këtë banesë ndërsa çifti kishte dy djem që ishin emigrantë në Angli dhe tri vajza të martuara që jetonin në Tiranë./Tv Klan