Bëhet dot gjë sikur ta tolerosh pak sot Tiranën? 

Ky është mesazhi që i është dërguar në Viber njërit prej futbollistëve të Luftëtarit pak orë para ndeshjes me Tiranën. Personi që i shkruan mesa duket është i njohur i tij, pasi biseda ka filluar me përshëndetje e zakonshme mes dy personave që kanë njohje personale.

Përgjigja e futbollistit të Luftëtarit është se nuk bën dot nga këto gjëra, mesa duket edhe duke refuzuar një ofertë të mundshme për tolerimin.

Klubi gjirokatrit ka postuar në faqen zyrtare në rrjete sociale denoncimin, duke bërë publik edhe qëndrimin që do të mbajë.

Luftëtari do të ndërmarrë hapa ligjorë dhe publikisht thotë se do t’i drejtohet prokurorisë, ku do të dorëzojë të gjithë numrat që kanë dërguar sms me kërkesën për tolerim ndaj Tiranës.

Zëdhënësi i klubit Rigels Malile pranoi për Televizionin Klan se janë disa numra të panjohur që kanë dërguar mesazhe ndaj disa futbollistëve të Luftëtarit. Drejtuesit e ekipit do të analizojnë situatën dhe do të ndërmarrin veprim.

Tirana luan në Gjirokastër ndaj Luftëtarit në orën 17:30. Për bardheblutë kjo ndeshje është për jetë a vdekje. Nëse nuk fiton dy takimet e fundit të kampionatit rrezikon rënien nga kategoria./Tv Klan