LANjë i pa strehë është vrarë nga policia në një prej rrugëve qëndrore në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara. Ngjarja është filmuar nga kalimtarë të rastit dhe është publikuar në llogarinë në Facebook të njërit prej tyre. Pamjet po bëjnë xhiron e botës në internet.

Janë 5 janë të shtënat që dalin nga arma e njërit prej policëve, pasi viktima nuk kishte pranuar të ulte një armë që ua kishte drejtuar forcave te rendit. Sipas shtypi amerikan, ai ishte një person me probleme psiqike dhe sapo kishte dalë nga një qendër rehabilitimi ku kishte qëndruar për 10 vjet.

Zyrtarë të policisë së Los Angelesit thanë se oficerët iu përgjigjën një alarmi për grabitje. Dy prej tyre morën plagë të lehta gjatë incidentit. Identiteti i viktimës nuk është bërë publik. Policia njoftoi se ka nisur një hetim. Deri tani asnjë prej oficerëve të përfshirë në ngjarje nuk është pezulluar.

Gjatë natës, një protestë u mbajt para zyrave qëndrore të forcave të rendit të Los Angelesit. Ngjarje të tilla të ndodhura kohët e fundit kanë shkaktuar mjaft polemika. Vrasja e një të riu me ngjyrë në Ferguson e përfshiu qytetin për disa javë në protesta të dhunshme, ndërsa manifestime pati në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tv Klan