doshiTom Doshi u kërkon organeve ligjzbatuese të marrin në mbrojtje dëshmitarin që sipas tij nxorri në dritë përpjekjen e Ilir Metës për ta eliminuar atë fizikisht. Në një tjetër reagim, pas arrestimit të Durim Banit, ish – deputeti socialist nuk kursen mirënjohjen ndaj dëshmitarit që nuk kreu atentatin për të cilin ishte porositur.

Tom Doshi – Ish – Deputet i PS: “Jeta e këtij dëshmitari duhet të garantohet nga shteti dhe atij, dhe familjes së tij t’i krijohet urgjentisht mbrojtje për jetën. Unë i jam mirënjohës atij dëshmitari që nuk e shtypi pultin e dinamitit për të marr jetën time atëherë kur dinamiti ishte vënë në makinën time, por zgjodhi rrugën e denoncimit të krimit. Ky dëshmitar sot nuk është në akuzë, por duhet të jetë në mbrojtje të rreptë nga shteti ligjor. Bandat e Ilir Metës disa ditë më parë tentuan vrasjen me dinamit të këtij dëshmitari kyç të krimit me 860 gr. tritol, përpara se ai të hipte në makinë me gruan dhe 2 fëmijët e tij. Pas këtij akti, nëse nuk do të bëja denoncim publik, unë do isha përgjegjës për vrasjen e këtij dëshmitari.”

Doshi zbardh edhe bisedën e bërë me kryeministrin Rama në 30 gusht të vitit të kaluar ku e informonte mbi atentatin që po i përgatitej. Sipas tij në atë kohë Rama i kishte thënë se faktet ishin një armë e fortë për t’i treguar vendin Ilir Metës.

Tom Doshi – Ish – Deputet i PS: “Në datën 30 Gusht, në një takim me Edi Ramën, ai më ka thënë: “Të ka shpëtuar Zoti Tomë. Çoje të penduarin tek Saimir Tahiri të bëj denoncimin dhe t’ja tregojmë vendin Metës”. Unë e çova të porositurin për krim në takim me Ministrin dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, i cili me dorën e tij ka mbajtur shënim çdo deponim që u bë. Saimiri më deklaroi që edhe kanë incizuar bisedën. Nuk e di se çfarë ndryshoi më pas. Nuk e di pse Rama, Tahiri apo Prokurori nuk vepruan. Nuk e di çfarë pazari i ka ofruar Ilir Meta këtyre për të mosvepruar.”

Duke e cilësuari revoltë dhe jo si shantazh reagimin e tij ndaj kryeministrit Rama, Doshi ngre pikëpyetje mbi injorimin që kryeministri, kryeprokurori dhe ministri i Brendshëm  i bënë denoncimit të tij ndaj Ilir Metës.

Tom Doshi – Ish – Deputet i PS: “6 muaj rresht prita, duke kërkuar çdo ditë që të reagonte shteti për këtë denoncim, por askush nuk reagonte. Dhe sot dua ta di, pse nuk reaguan për 6 muaj? Më quanin vlla dhe mik, dhe më lanë të vritesha në pabesi. Nuk kërkuan kurrë të më ofronin mbrojtje, dhe nuk më thirrën kurrë për të marr prej meje më tepër detaje për skemën e vrasjes. Nëse unë nuk do ta kisha shmangur vetë këtë krim, për Edi Ramën isha i vdekur. E zbulova dhe denoncova këtë krim dhe përsëri më lanë pa mbrojtje ligjore, në dorë të krimit të porositur.”

Doshi  e mbyll komentin e tij duke thënë se është Ilir Meta që po e shantazhon  Edi Ramën  për të mbrojtur krimin në këmbim të votave për të mbajtur në këmbë qeverinë.

Tv Klan