Për ish – Nënkryetarin e Partisë Demokratike Astrit Patozi, Lulzim Basha po përpiqet të lërë në harresë atë që ndodhi në zgjedhjet për kryetar në 22 Korrik.

Në një koment të publikuar online, Patozi thotë se janë tashmë të provuara rastet e rënda të Vlorës, Korçës dhe Durrësit, ku rezulton se janë hedhur në kuti më shumë se dyfishi i fletëve të atyre që kanë shkuar të votojnë dhe se këto nuk kanë qenë raste të izoluara, por epidemi kombëtare.

Patozi thotë se është papranueshëm edhe sulmi që po u bën zërave kritikë Jemin Gjana kryetar i komisionit të zgjedhjeve në PD.

“Dikush duhet t’i thotë Jeminit se gjyqtari nuk flet asnjëherë, nese do që ndeshja të mos quhet e trukuar. Dhe ai nuk ishte gjyqtar i thjeshtë, por kryegjyqtar i Lulzim Bashës. Fakti që ai mendon se duke sulmuar kritikët e kryetarit po hap kutinë e zezë të Partisë Demokratike, është mjerimi dhe faqja e zezë e Lulzim Bashës dhe e gjithë procesit farsë të 22 korrikut”.

Edhe ish – Nënkryetarja e tjetër, Jozefina Topalli e akuzon Lulzim Bashën se në 22 Korrik e grabiti karrigen e kryetarit, përmes një gare farsë.

“Në fakt më 22 Korrik, 70% e anëtarësisë së PD kanë bojkotuar me përçmim farsën e Lulzim Bashës. LB sot është Kryetar i delegjitimuar. Ai është kryetar i rremë. Ai sot mban vulën e turpit e ulet mbi karrigen e grabitur të PD, parti të cilën e asgjësoi me gjakftohtësinë e të vetëngrimit. Në kronikë do hyjë si eksperimenti më i dështuar i politikës shqiptare që shënoi humbjen më të madhe të forcës së vet politike dhe që shkruajti (fallsifikoi) fitoren më të madhe me mbi 90% brenda farsës së brendshme partiake. Prandaj qytetarët me ironi e quajnë Mr. 90%. Ndaj Lulzim Basha nuk ka marrë asnjë urim, me përjashtim të Kukanit.”

Ish – Nënkryetarja e Partisë Demokratike thotë se për shkak të kësaj farse, Basha është braktisur nga të gjithë, teksa kujton se ai e shpalli veten kryetar në një konferencë shtypi pa asnjë njeri në krah, në sallë apo në oborrin e partisë.  

Tv Klan