Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli e ka cilësuar të paprecedentë mbledhjen me deputetët e sapozgjedhur nga ana e Lulzim Bashës,  teksa thotë se ende nuk ka përfunduar mandati i deputetëve aktualë.

Përmes një postimi në Facebook ajo thotë se kryetari i delegjitimuar mblodhi në selinë blu listën e tij klienteliste familiare me shprese se pa kesaj do shpëtojë nga ankthi i manipulimit dhe falsifikimit të pjesëmarrjes të 22 korrikut dhe rezultatit katastrofal me minus 230 mijë votat e zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit.

Sipas Topallit urrejtja kundra grupit të deputetëve, që bojkotoi një vit Kuvendin në një sakrificë gati unike, është e vetmja gjë e pakamufluar nga Lulzim Basha, që thotë se s’ ka flirtim me Edi Ramën, por që është në qeveri me të, -vijon postimin e saj ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike. TV KLAN

Statusi në Facebook i Jozefina Topallit:

” Moj kohë, rend më shpejt se tmerri im”.

Sot kur, KQZ miratoi me 7:0 rezultatin përfundimtar të 25 qershorit, ku e majta ka më shumë se 2-fishin e votave të Listës Basha, Kryetari i delegjitimuar nga 22 Korriku dhe i shkarkuar me humbjen katastrofale të 25 Qershorit, nuk di as të fsheheë më urrejtjen e egër të tij ndaj grupit parlamentar, që bëri opozitën më të fortë kundra krimit në Parlament e luftën më të fuqishme kundra drogës si politikë shtetërore të Edi Ramës .

Urrejtja kundra grupit të deputetëve, që bojkotoi një vit Kuvendin në një sakrificë gati unike, është e vetmja gjë e pakamufluar nga Lulzim Basha.

Ai sot, 4 ditë pas vetëshkrirjes, duke rendur kundër arsyes, në kundërshtim me Kushtetutën, në dhunim të çdo norme morale dhe etike, jo vetëm që nuk e njeh më as ligjërisht grupin parlamentar të PD, por në një gjest të paprecedent, nuk i durohet të presë edhe një muaj, siç e do rasti e rregulli, kur mbaron mandati i legjislaturës aktuale.

Ky që nuk mblidhte grupin parlamentar kur e detyronte statuti, kur e kërkonte koha dhe deputetët që thirrnin me shqetësim që të mos çonte PD drejt greminës( sic ndodhi në fakt siç e paralajmëruam), sot mbledh listën e tij klienteliste familiare me shpresë se pas kësaj do shpëtojë nga ankthi i manipulimit dhe falsifikimit të pjesëmarrjes të 22 Korrikut dhe rezultatit katastrofal me minus 230 mijë vota të 25 Qershorit.

Krejt si Makbethi, kur flet me vete e pëshpërit:

” Moj kohë, rend më shpejt se tmerri im.”