Në Greqi, gardianët e akuzuar për çështjen e Ilia Kareli janë shpallur fajtorë, por jo për akuzën e ushtrimit të torturave me dëmtime të rënda trupore.

Për 12 gardianë, gjykata ka miratuar dënime me burg, që shkojnë nga 5 deri në 7 vjet. Më konkretisht, gjashtë prej tyre kanë marrë nga 5 vjet burg, tre nga 6 vjet dhe tre të tjerët nga 7 vjet.

Një gardian tjetër është dënuar me 3 vjet, ndërsa është shpallur i pafajshëm për mungesë provash drejtori i burgut të Nigritas.

Gjykata e Selanikut ka vendosur që t’i lerë të lirë me kusht që të gjithë, deri sa të shqyrtohet apelimi i tyre ndaj masës së dënimit.

E vetmja masë kufizuese ndaj tyre do të jetë ndalimi i daljes jashtë shtetit. Gjykata ka pranuar deponimin e mjekut ligjor se vdekja e Ilia Karelit nuk ka ardhur si rezultat i torturave, por si rezultat i një ataku kardiak, duke i shkarkuar të pandehurit nga një akuzë mjaft e rëndë.

Përndryshe, akuza fillestare i shpallte ata fajtorë për “kryerje torturash të një rasti të veçantë me rezultat vdekjen e personit”. Por akuza me të cilën përfundimisht u përballën dhe morën dënimet e komunikuara sot, ishte thjesht “Kryerje torturash me dëmtime të rënda trupore”.

Procesi gjyqësor që përfundoi sot kishte nisur më 4 Janar. Në bankën e të akuzuarve ishin ulur 14 persona, gardianë dhe ish-drejtori i burgut të Nigritas.

Ata akuzoheshin për torturimin e Ilia Karelit, në shenjë hakmarrjeje pse i burgosuri shqiptar kishte vrarë një kolegun e tyre, në burgun e Malandrinos, më 25 Mars 2014. /tvklan.al