Maliq Kadilli është një nga 19 të arrestuarit për kalimin e 10 tonëve drogë nga Shqipëria në Itali. Ai mbante detyrën e agjentit doganor në doganën e Qafë -Thanës andej nga ku dyshohet se në datën 5 shkurt ka hyrë kamioni me 8 ton kanabis i ndaluar më pas në shtetin fqinj. Kadilli i tha togave të zeza se ka kryer detyrën konform ligjit dhe se nuk është detyra e tij të kontrollonte kamionin.

Por, prokurori i çështjes tha se Kadilli bashkë me 18 të arrestuarit e tjerë doganierë dhe policë të stacionit kufitarë në portin e Durrësit si dhe të shpallur në kërkim janë pjesë e një grupi që trafikojnë drogë drejt Europës.

Më pas, para togave të zeza kanë dalë të prangosurit e tjerë ndër ta edhe Julian Doraci, shef i stacionit policor në portin e Durrësit. Gjykata ka rikonfirmuar masën e sigurisë arrest me burg për të. E njëjta masë u la në fuqi edhe për të arrestuarit e tjerë.

Të gjithë të akuzuarit nga prokuroria akuzohen për dy episode ku nga porti i Durrësit kanë kaluar në total 10 ton kanabis. Në një rast policia italiane sekuestroi 8 ton, ndërsa në rastin e dytë 2,2 ton.

Tv Klan