Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në burg shtatë prej doganierëve dhe punonjësve të policisë të arrestuar në kuadër të hetimeve për trafikimin e 10 tonëve kanabis drejt Italisë.

Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për mase sigurisë arrest me burg për shtetasit Mexhit Xhixha, Agron Kapllani, Roland Metani, Maliq Kadilli, Nezir Bardhoshi, Behar Sula dhe Gezim Dervishi.

Ndërkohë, gjykata po ashtu ka ndryshuar masën me arrest në shtëpi për Edmond Luzin dhe Vladimir Ziun.

Trafiku i kanabisit drejt Italisë ka shkaktuar furtunë në Policinë e Portit të Durrësit, si dhe doganat e Qafë-Thanës, Vorës e Durrësit në muajin prill.

18 policë dhe doganierë janë vënë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. 11 prej tyre janë pjesë e Policisë dhe Doganës në Portin e Durrësit, ndër ta dhe Shefi i stacionit të Policisë Kufitare, Julian Doraci.

4 prej të ndaluarve janë doganierë dhe agjentë në Qafë-Thanë. Ndërsa në pranga kanë përfunduar dhe tre punonjës së Doganës së Tiranës.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, këta persona kanë lejuar kalimin e të paktën 10 toneve kanabis me kamion drejt Italisë në dy raste.

I pari lidhet me kapjen në Ankona, në 5 Shkurt të këtij viti të një kamioni me 8.8 ton kanabis, i futur në Shqipëri nga Maqedonia. Për të njëjtin hetim dy javë më parë u arrestuan 4 doganierë të tjerë të Qafë-Thanë. Ndërsa ngarkesa e dytë prej 2.2 ton kanabis u sekuestrua në 24 Mars në Itali.

Nga hetimi ka rezultuar se mes punonjësve të policisë dhe doganierëve kishte një formë të organizuar bashkëpunimi për kalimin e automjeteve me drogë nga Shqipëria në Itali./tvklan.al