Një gomone e fuqishme, që dyshohej se do të përdorej për trafik të lëndëve narkotike, është bllokuar gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës në Vlorë.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se në bordin e këtij mjeti lundrues udhëtonin dy italianë. Ata janë 45 – vjeçari me iniciale M.M, si dhe 29 – vjeçari A.A. 

Sipas policisë, nga kontrolli i ushtruar në gomonen me gjatësi 8 m me dy motorë mërkuri 250 KF, nuk janë gjetur materiale apo sende të kundraligjshme.

Dy italianët mësohet se kanë deklaruar se ishin nisur nga Monopoli i Itali në drejtim të Korfuzit, por për shkak të një defekti të shkaktuar nga motorat janë kthyer për në Porto – Palermo të Himarës, ku dhe u ndaluan rreth orës 04:50 të mëngjesit.

Aktualisht, autoritetet në Vlorë po kryejnë veprimet e mëtejshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave./tvklan.al