Sipas të dhënave policore trafiku i refugjatëve është rritur ndjeshëm gjatë muajit Tetor në të dy anët e kufirit shqiptaro – grek. Ndërsa në anën shqiptare kanë arritur të depërtojnë refugjatë nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme në anën greke është rritur trafikimi i refugjatëve shqiptarë. Policia greke tha sot se goditi një organizatë kriminale e cila ishte aktive që nga maji i vitit 2017 dhe ka trafikuar mbi 180 emigrantë të paligjshëm, duke fituar në mënyrë të paligjshme rreth 90,000 euro.

Operacioni u zhvillua në zonë e Janinës, fqinje me Shqipërinë ku u arrestuan 11 persona, shtatë shqiptarë dhe katër greke si dhe u bllokuan 6 makina, një pistoletë, 4 pushkë dhe një shumë monetare.

Policia greke tha se organizata kriminale akuzohet për lehtësimin e hyrjes së emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria në Greqi përmes kufijve tokësorë. Sipas polcisë greke drejtuese e grupit ishte një 40 vjeçare nga Shqipëria ndërsa mes të arrestuarve janë edhe tre gra të moshës nga 31 deri në 53 vjeç.

Sipas policsë greke anëtarët e grupit pas gjetjes së refugjatëve i udhëhiqnin ata si këmbësorë në brendësi të territorit grek dhe më pas i transportonin me automjete të llojeve të dnryshme në rajone të Greqise. Organizata përbëhej nga dy nëngrupe, njëri që gjente refugjatët dhe siguronte kalimin e tyre deri në kufi kundrejt një pagese që shkonte deri në 500 Euro dhe tjetri që siguronte transportin me automjete për në brendësi të territorit grek.

Policia greke zbuloi se për të shmangur kontrollet nga autoritetet e polciore trafiknatët përdornin një mjët pararendës në rrugë cili ishte i ngarkuar për të njoftuar për pikat e kontrollit të policisë. Policia greke tha se nga analizimi i të të dhënave paraprake, vlerësohej se grupi ishte përfshirë në të paktën 77 raste trafiku të rreth 180 refugjatëve, kryesisht shtetas shqiptarë.

Rritje e trafikut dhe në anën shqiptare

Policia kufitare e Gjirokastrës tha se bllokoi dy ditët e fundit 17 refugjatë nga Siria, Iraku, Algjeria, Maroku dhe Libia. Sipas burimeve kufitare shqiptare 7 prej tyre u dërguan në Qendrën e Azilkërkuesve në Tiranë dhe refugjatët e tjerë iu dorëzuan palës greke. Drejtori i Policisë Kufitare të Gjirokastrës Manol Dhamaj tha se vetëm gjatë muajit Tetor në Pikëkalimin e Kakavijës dhe të Tri Urave janë bllokuar përgjatë kufirit nga policia shqiptare 108 refugjatë, një shifër kjo dukshëm më e lartë se tetori i vitit të shkuar.

Autoritetet shqiptare po ndihmohen nga një Zyrë Rajonale e UNCHR-së në Gjirokastër për trajtimin e refugjatëve dhe kryerjen e praktikave të Azilit. Policia kufitare shqiptare thote se nëse kjo prurje e refugjatëve nga Greqia do të vijojë me këto ritme do të kërkonte më shumë mbështetje për kontrollin e kufirit dhe dhënien e ndihmës ndaj refugjatëve.

Autoritetet greke vijojnë të kenë mjaft probleme në disa strehimore të refugjatëve prej mbingarkesës së kampeve dhe grupe prej tyre arrijnë të largohen për të udhëtuar drejt kufirit shqiptar. Pak kohë më parë policia shqiptare përforcoi ruajtjen e kufirit me Greqinë me një repart special policor, por terreni i thyer dhe shtrirja gjeografike e bëjnë të pamundur kontrollin e regjimit kufitar mes të dy vendeve.

/Zëri i Amerikës