Një gjykatë në Britaninë e Madhe dha në total 9 vite burg për 2 dy britanikët që trafikuan në muajin Maj, 18 emigrantë shqiptarë në vendin ishullor.

Ata u kapën në flagrancë, teksa gomonia që transportonte shqiptarët po mbytej rreth 1 milje nga brigjet britanike. Emigrantët u shpëtuan nga roja bregdetare, ndërsa dy trafikantët përfunduan në pranga.

Dy britanikët janë 33-vjeçari Robert Stiëell, një ish-kampion i xhudos, i cili u dënua me 4 vite e 4 muaj burg dhe 35-vjeçari Mark Stribling, për të cilin u dha dënimi me 4 vite e 8 muaj burg. Dy trafikantët kishin marrë 5 mijë stërlina për çdo emigrant shqiptar.

Mësohet se shqiptarët në gomone kërkuan ndihmë tek të afërmit e tyre që ndodheshin në Calais, në Francë. Këta të fundit lajmëruan policinë se një barkë me emigrantë po mbytej.

Muajt e fundit është rritur ndjeshëm numëri i emigrantëve shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe. Sipas mediave britanike, trafikimi i tyre bëhet edhe më i lehtë pasi forcat detare që ruajnë gjirin janë shumë ta pakta.

Tv Klan