kamioni

Kamioni me 50 trupat e pajetë, i braktisur në Austri, pranë kufirit lindor me Hungarinë besohet se është nisur nga Serbia, më pas ka udhëtuar përmes Hungarisë dhe ka ndaluar në autostradën A4, në qytetin Parndorf.

Shefi i policisë së provincës Burgenland tha në një konferencë për shtyp se kamioni ndodhej aty prej se merkures dhe nuk mund të flitet me saktësi për numrin e viktimavë “ Mund të jenë 20 të vdekur, ndoshta 40 ose 50 viktima”- tha ai.

Disa prej trupave janë thuajse të dekompozuar, çka tregon – sipas policisë austriake – se mund të kenë humbur jetën përpara se kamioni të hynte në Austri.

Shefi i kabinetit i kryeministrit të Hungarisë tha se autoritetet besojnë se kamioni ishte pjesë e një operacioni të trafikut të qënieve njerëzore dhe se viktimat ishin emigrantë të paligjshëm, që synonin Perendimin, përmes Hungarisë me ndihmën e hungarezve.

Aktualisht kamioni – frigorifer ndodhet në kufi dhe sapo te jetë ulur temperatura brenda frigoriferit, policia do të nxjerrë prej andej trupat e viktimave, për të kryer më pas autopsinë në Vjenë.

Sipas gazetës austriake Krone Cajtung, një person që po kosiste barin kishte njoftuar policinë, pasi kishte ndjerë erën e rëndë dhe kishte parë të rridhte ujë i ndotur në pjesën e prapme të kamionit frigoriferik.

Ministrja e Brendshme e Austrisë, Johana Mikël Leitner duke e cilësuar këtë një ditë të errët tha se Austria do të zbatojë politikë e tolerancës zero për bandat mafioze përgjegjese.

Kancelari i Austrisë, Verner Fajman tha se “kjo tragjedi dëshmon se sa e nevojshme është të shpëtojmë jetë, duke luftuar kriminelet dhe trafikantët”. Në dy anët e kamionit 7.5 ton është shkruar emri i një kompanie sllovake të perpunimit te mishit të pulës “Hyza”, që i ishte shitur në vitin 2014 një rumuni që jetonte ne Hungari.

Policia austriake është vënë në kërkim të shoferit. Policë hungarezë po bashkepunojnë me atë austriakë. Të premten do të bëhet publikë numri i saktë i viktimave dhe do të mësohet nëse në kamion kishte gra dhe fëmijë dhe se si ata kanë humbur jetën.

Tv Klan