Një aksident i rëndë automobilistik ndodhi mëngjesin e së mërkurës në Pieve San Giacomo, në provincën e Cremona të Italisë. Nga përplasje e dy automjeteve ka gjetur vdekjen një shqiptare, ndërsa bashkëshorti i saj, komandant i njësisë investigative të karabinierëve të Cremona-s, Claudio de Leporini ndodhet në gjendje të rëndë.

Sipas mediave italiane, aksidenti ndodhi rreth orës 10 e gjysmë të mëngjesit. Makina me të cilën udhëtonte çifti u përplas me një kamion Scania, e për pasojë automjeti i tyre doli nga rruga dhe përfundoi në kanal.

Në vendngjarje shkuan shërbimet e emergjencës së Brescia dhe ato zjarrfikëse. Fatkeqësisht për shqiptaren 35 – vjeçare, të identifikuar nga mediat fqinje si Amantia Sula, nuk mund të bëhej asgjë. Gruaja mësohet se humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ndërsa bashkëshorti i saj, gjithashtu 35-vjeç u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet i shtruar.

De Leporini kishte mbajtur për 6 vjet pozicionin e kapitenit të karabinierëve në Sondrio dhe më pas ishte rritur në detyre me gradën major dhe ishte transferuar në Cremona, në Shtator të 2016-s. Çifti mësohet se ka edhe një vajzë 7 -vjeçe.

/tvklan.al