1

Dy minatorë humbën jetën në një aksident në një galeri të minierës së kromit në Balgjaj të Selishtes, në Dibër.

Viktimat janë dy kushërinj, Miftar dhe Albert Losha, 25 dhe 35 – vjeç. Njëri prej tyre ishte drejtues teknik në minierën që menaxhohet prej vitesh nga një kompani private.

Sipas policisë, ata ishin duke inspektuar punën në galeri kur një masiv gurësh u shkëput dhe i zuri poshtë.

Kolegët arritën t’i nxirrnin të gjallë, por ata nuk u mbijetuan dot plagëve.

Miftar dhe Albert Losha ndërruan jetë teksa po transportoheshin me helikopter për në qendrën e Traumës, në Tiranë.

Policia e Peshkopisë tha se ka ngritur një grup hetimor për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

Edhe Ministria e Energjitikës dërgoi një grup ekspertësh në vendngjarje për të hetuar shkaqet e vdekjes së dy minatorëve.

Mungesa e kushteve të sigurisë dyshohet të jetë shkak i këtij aksidenti tragjik, ashtu si në të shumtën e rasteve të aksidenteve të ndodhura në minierat shqiptare.

Tv Klan