Të paktën 24 studentë dhe mësues besohet se kanë humbur jetën, si pasojë e një zjarri që përfshiu një shkollë fetare në kryeqytetin Kuala Lumpur të Malajzisë.

Zjarri në shkollën Tahfiz Darul Quran, sipas BBC ra gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes.

Viktimat dyshohet se mbetën të bllokuar në dhomat e tyre të gjumit, për shkak se dritaret e ndërtesës ishin të mbyllura me grila metalike.

“Kjo është një prej fatkeqësive më të mëdha të shkaktuara nga zjarri në vend, në këto 20 vjet”,

tha Drejtori i departamentit të shpëtimit dhe zjarrit, Khirudin Drahman, për AFP.

Të dhënat e deritanishme flasin për të paktën 24 viktima, mes të cilëve 22 studentë, të gjithë djem të moshës 13 dhe 17 vjeç. 2 viktima të tjera janë pjesëtarë të stafit.

Zjarri u raportua rreth orës 05:40, me orën lokale dhe sipas policisë ai nisi në dhomat e gjumit.

Në shkolla islamike, ku studentët mësojnë Kuranin, zakonisht studentët jetojnë atje.

Imazhet dhe videot e postuara në internet shfaqnin të gjithë katin e sipërm të përfshirë tërësisht nga flakët.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e zjarrit, por dyshimet janë se me gjasë zjarri mund të ketë rënë si pasojë e një qarku të shkurtër, apo nga një spirale e ndezur për të mbajtur larg mushkonjat.

Familjarë të viktimave

Fqinjët, të cilët dëshmuan ngjajen e rëndë thanë për Reuters se kishin dëgjuar britmat e ulërimat e studentëve të bllokuar brenda, që kërkonin të dëshpëruar ndihmë. Fatkeqësisht, ata nuk mundën të dilnin në kohë duke humbur tragjikisht jetën.

Shefi i policisë, Amar Singh tha se trupat e tyre ishin “totalisht të djegur”./tvklan.al