Kanë qenë tragjike pasojat për një shqiptare në Como të Italisë, e cila humbi foshnjen që kishte në bark, pasi u përfshi në një aksident me makinë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në rrugën Don Gnocchi, në komunën e Inverigo. 27 – vjeçarja shqiptare, e cila ishte në muajin e 7 të shtatzënisë udhëtonte me një 35 – vjeçare po shqiptare, kur u përplasën me një tjetër automjet.

Sipas mediave italiane, përplasja ishte tepër e fortë, duke shkatërruar pjesën e përparme të automjetit të shqiptareve. Për nxjerrjen e tyre u desh ndërhyrja e zjarrfikësve, që prenë pjesën e tavanit të makinës.  

Dy shqiptaret, identiteti i të cilave nuk dihet, u transportuan me urgjencë në spitalin e Comos.

Në gjendje më të rëndë ishte 27 – vjeçarja shtatzënë, banuese në Cabiate, e cila pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve humbi vajzën e saj. Vetë e reja mësohet se ndodhet në kujdes intensiv, në gjendje të rëndë.

Ndërsa shqiptarja tjetër fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ashtu sikurse drejtuesi i automjetit tjetër, një 57 – vjeçar italian që mbeti gjithashtu i plagosur.

Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 20:40, në një rrugë të ngarkuar nga trafiku në drejtim të Erba. Autoritetet e vendit fqinj kanë nisur hetimet për ngjarjen./tvklan.al