Tre vogëlushë, të cilët erdhën në jetë të njëjtën ditë, u shuan këtë të mërkurë në Romanat të Durrësit.

Trinjakët e Migena dhe Gëzim Konçit ndodheshin të vetëm në banesë, kur kjo e fundit u përfshi nga flakët.

Babai i tyre ishte në punë, ndërsa e ëma 30 – vjeçare sëbashku me dy vajzat më të rritura kishte shkuar tek nëna e saj.

Tre të vegjlit dyshohet se mund të kenë qenë duke luajtur me shkrepëse dhe ky mund të jetë edhe shkaku i zjarrit.

Gazetarë e kamera të shumta shkuan në shtëpinë Konçi, pasi ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin publik.

Të afërmit refuzuan të flisnin, ndërsa në ambientet e shtëpisë, fqinj të shumtë kishin pak fjalë, pasi tronditja ishte tepër e madhe.

Një prej tyre, rrëfeu se kishte vrapuar menjëherë drejt shtëpisë kur kishte dëgjuar ulërimat.

Ai tregoi se kishte dëgjuar edhe të vegjlit, që të dëshpëruar ulërinin brenda dhomës së mbyllur me çelës.

“I njoh shumë mirë si familje, janë familje shumë e mirë. Unë nuk kam parë gjë, por kam dëgjuar vetëm të bërtiturat sepse ka nisur të dalë tym dhe njerëzit kanë filluar të bërtasin.

Janë pesë fëmijë. Nuk e di ku kanë qenë prindërit, unë kam parë vetëm zjarrin dhe kam njoftuar zjarrfikësen. 

Kam dëgjuar ulërimat e fëmijëve dhe menjëherë jam nisur nga puna dhe kam ardhur këtu.”

Pavarësisht përpjekjeve për t’i nxjerrë ata jashtë dhomës ku ndodheshin, hekurat e dritares dhe flakët e mëdha e bënë të pamundur.

Tre vogëlushët, të cilët nëna e tyre Migena në rrjete sociale i quante “dashuri e trefishtë”, nuk mundën të mbijetonin.

Pamjet pas zjarrit të tmerrshëm tregojnë orenditë e shtëpisë të shkrumbuara, ndërsa ajo që mbetet është dhimbja e familjes që nuk ka fjalë për t’u përshkruar./tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/O2cl-ejyVyA