Të paktën 225 persona mes të cilëve 22 nxënës të një shkolle fillore, mbetëm të vrarë dhe dëme të mëdha u shkaktuan nga tërmeti që tronditi Meksikën të martën.

Kërkimet e pashpresa për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja vazhdojnë ende. Dhjetëra ndërtesa u shembën, duke përfshirë edhe disa kisha ku ndodheshin besimtarë të cilët humbën jetën.

Familjet me fëmijë të vegjël u panë teksa po flinin jashtë shtëpive të tyre, në rrugët e kryeqytetit gjatë natës.

Tërmeti ndodhi vetëm pak çaste pasi shumë njerëz kishin përfunduar një trajnim, i cili po zhvillohej pikërisht në 32-vjetorin e tërmetit të ndodhur në Meksikë në vitin 1985 ku humbën jetën shumë persona.

Të paktën 20 fëmijë kanë humbur jetën në tërmet, pasi shkolla ku po bënin mësim u shemb duke i zënë nxënësit nën rrënoja.

Presidenti Enrique Peña Nieto dha lajmin e kobshëm të martën nga shkolla Enrique Rebsámen, e rrethuar nga prindër të dëshpëruar të cilët po kërkonin fëmijët e tyre të zhdukur. Presidenti bëri me dije se numri i nxënësve të vdekur ka arritur në 22, duke shtuar edhe dy mësues, ndërkaq që 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Qindra ushtarë, marinarë dhe policë federalë shkuan në vendngjarje, së bashku me prindërit të cilët po kërkonin nën rrënoja me shpresën për të gjetur nxënësit dhe stafin e mësuesve.

Dy fëmijë u shpëtuan, por shpresat kanë filluar të zbehen ndërsa koha kalon. Shkolla shërbente si kopsht dhe si shkollë fillore./tvklan.al